Thirrje për shprehje interesi: Hartimi i strategjisë dhe prodhimi i një fushate ndërgjegjësuese për aksesin në shërbimet e mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat e trafikimit në Shqipëri.

Hartimi i strategjisë së komunikimit dhe mesazheve, zhvillimi i konceptit krijues dhe prodhimi i materialeve për realizimin e një fushatë ndërgjegjësuese që synon të rrisë informimin mbi shërbimet e mbrojtjes dhe mbështetjes, mekanizmat e referimit dhe mënyrat e sigurta për të kërkuar ndihmë për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri.

Organizata World Vision Albania fton kompanitë e specializuara dhe konsorciumet e profesionistëve të shprehin interesin për të ofruar shërbime për hartimin dhe realizimin e një fushate ndërgjegjësuese mbi aksesin në shërbimet e mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri.

Angazhimi zhvillohet në kuadër të projektit rajonal “Safe Haven: Expanding Shelter Resources for Trafficking Survivors in the Western Balkans”, mbështetur nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qëllimi i angazhimit

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe informimin e viktimave dhe viktimave të mundshme shqiptare dhe të huaja të trafikimit, komuniteteve përreth tyre dhe profesionistëve përkatës mbi shërbimet e disponueshme të strehimit, mbrojtjes dhe mbështetjes, mekanizmat e referimit dhe mënyrat e sigurta për të kërkuar ndihmë.

Kompania ose ekipi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për hartimin e strategjisë së komunikimit dhe mesazheve kryesore, zhvillimin e konceptit krijues dhe identitetit vizual të fushatës, si dhe projektimin dhe prodhimin e të gjitha materialeve të komunikimit në gjuhën shqipe dhe angleze.

Materialet dhe produktet e pritshme

Angazhimi përfshin, ndër të tjera:

  • Strategjinë e komunikimit, mesazhet kryesore dhe kalendarin e përmbajtjes për rrjetet sociale dhe web;
  • Konceptin krijues, identitetin vizual dhe udhëzuesin bazë të fushatës;
  • Materiale për rrjetet sociale: postime, karusele dhe story;
  • Video të animuara dhe formate të shkurtra audiovizuale;
  • Infografika informuese;
  • Fletëpalosje dhe postera të printuar;
  • Një faqe informuese online (landing page);
  • Një paketë digjitale me materialet për partnerët.

Të gjitha materialet duhet të hartohen dhe prodhohen duke respektuar një qasje të përqendruar te të mbijetuarit (survivor-centred approach), parimet e dinjitetit, të drejtave, mosdiskriminimit, ndjeshmërisë ndaj traumës dhe mosshkaktimit të dëmit.

Profili i kërkuar

Kjo thirrje u drejtohet kompanive ose konsorciumeve që disponojnë një ekip profesionistësh me përvojë në strategji komunikimi, zhvillim fushatash ndërgjegjësuese, krijim përmbajtjeje, dizajn grafik, prodhim videosh të animuara, zhvillim faqesh interneti, përkthim dhe prodhim materialesh të printuara.

Njohuritë dhe përvoja në fushën e trafikimit të personave, mbrojtjes së viktimave dhe komunikimit të ndjeshëm ndaj traumës përbëjnë avantazh.

Afati dhe mënyra e shprehjes së interesit

Subjektet e interesuara ftohen të paraqesin shprehjen e interesit dhe dokumentacionin përkatës sipas kërkesave të përcaktuara në Termat e Referencës (ToR).

Afati i fundit për dorëzimin e shprehjeve të interesit: 1 dhjetor 2026.

Dokumentacioni duhet të dërgohet në adresën elektronike: vangjel_kojku@wvi.org.

Për informacion të plotë mbi objektin e angazhimit, detyrat, produktet e pritshme, kërkesat për ekipin, dokumentacionin dhe mënyrën e aplikimit, konsultoni Termat e Referencës:

Shkarkoni Termat e Referencës (ToR)

World Vision Albania mirëpret shprehjet e interesit nga kompani dhe ekipe profesionistësh me përvojën dhe kapacitetet e nevojshme për realizimin e kësaj fushate.