Organizata World Vision Albania, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë Afatgjatë në Zonën Ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, shpall thirrjen për shprehje interesi për bizneset lokale të Bashkisë Lezhë (Qytet dhe Njësia Administrative Shëngjin) për t’u përfshirë në Programin e Punësimit me Subvencion.
Ky program synon të mbështesë punësimin e 9 grave, persona të papunë afatgjatë, të cilat kanë përfunduar me sukses një program trajnimi intensiv mbi aftësitë e punësueshmërisë dhe mikpritjes (hospitalitetit). Kjo thirrje u ofron bizneseve lokale mundësinë për të përfituar subvencionim për pagën minimale bruto dhe kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë 4-mujore për të punësuarën/punësuarat, por edhe angazhimin pranë bizneseve të tyre të një force pune të trajnuar, të cilët më pas mund të kthehen në punonjës afatgjatë.
Për të përfituar nga kjo skemë, biznesi ka detyrimin që të punësojë një ose më shumë persona për një periudhë të paktën 8 mujore, ku gjysma e kësaj periudhe do të subvencionohet nga projekti. Konkretisht, World Vision do të subvencionojë pagën minimale bruto mujore dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për muajin e parë, të tretë, të pestë dhe të tetë.
Thirrja është e hapur për biznese të regjistruara në sektorin e turizmit dhe mikpritjes (bare, restorante, hotele, piceri, furra buke, apo dyqane me veprimtari të ngjashme), të cilat operojnë në qytetin e Lezhës dhe në Shëngjin.
Afati për dorëzimin e aplikimeve: 19 Nëntor 2025
Aplikimet dërgohen në adresën: procurement_albania@wvi.org
Bashkëngjitur formulari i aplikimit (Shprehje Interesi) dhe Termat e Referencës në shqip dhe në anglisht.
Ky aktivitet realizohet në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe Zyrën Rajonale të Punësimit në Lezhë, me qëllim nxitjen e punësimit dhe përfshirjes sociale të personave në kërkim të punës.
Rreth projektit:
Projekti “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë në Zonën Ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, financohet nga Bashkimi Evropian përmes IPA Cross-border Cooperation Programme Montenegro – Albania , dhe zbatohet nga World Vision Albania, Agjencia Kombëtare e Punësimit në Mal të Zi dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri.