Dhjetëra të rinj nga Elbasani, Prrenjasi, Cërriku dhe Librazhdi u bënë pjesë e një bashkëbisedimi të hapur me z. Miha Pezelj nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku diskutuan mbi rolin e tyre në shoqëri dhe kontributin e tyre në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Takimi solli në qendër zërin e të rinjve të angazhuar në programet e World Vision Albania dhe në projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian, të cilat synojnë fuqizimin e tyre dhe rritjen e pjesëmarrjes aktive në komunitet. Të rinjtë ndanë përvojat e tyre si aktivistë, agjentë ndryshimi dhe vullnetarë, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të të rinjve, promovimit të barazisë gjinore, krijimit të mundësive të barabarta dhe përfshirjes sociale, veçanërisht në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Përmes angazhimit të tyre në iniciativa dhe projekte të ndryshme, ata kanë kontribuar në ndërgjegjësimin e komuniteteve mbi çështje të rëndësishme sociale, duke u bërë zëra aktivë për ndryshim. Gjatë diskutimeve, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësive për studim dhe punësim, si dhe rolit që të rinjtë mund të luajnë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Të rinjtë janë partnerë kyç në ndërtimin e së ardhmes europiane të Shqipërisë,” theksoi z. Miha Pezelj gjatë bashkëbisedimit, duke inkurajuar pjesëmarrësit të vijojnë angazhimin e tyre aktiv në komunitet dhe më gjerë.

Ndërkohë, Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të tilla për të rinjtë: “Kur të rinjtë dëgjohen dhe përfshihen në dialog, ata bëhen aktorë të vërtetë të ndryshimit në komunitetet e tyre dhe përtej tyre. World Vision prej 27 vitesh punon për fuqizimin e brezit të ri, duke kontribuar kështu në ndërtimin e kapitalit njerëzor të Shqipërisë.”
Takimi u lehtësua nga znj. Elmazi, ndërsa e pranishme ishte edhe Manjola Rexhepi, Drejtoreshë e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale në Bashkinë Elbasan, e cila vlerësoi kontributin e të rinjve në zhvillimin e komuniteteve lokale.
Pjesëmarrja e të rinjve nga komunitete dhe zona të vogla dëshmoi edhe një herë se ndryshimi fillon nga angazhimi individual dhe kolektiv. Përmes mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe zbatimit të programeve nga World Vision Albania, të rinjtë po fuqizohen për të qenë aktorë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe me perspektivë europiane.
Nga Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania
