Nën moton “Angazhimi qytetar i të rinjve” në 12 gusht, Dita Ndërkombëtare e Rinisë, me qindra të rinj nga Shqipëria organizuan aktivitete të ndryshme në ndihmë të komuniteteve të tyre. Rreth 250 të rinj, nga Elbasan dhe Librazhdi, pastruan zonën turistike të Gjinarit në Elbasan. Duke treguar shembullin e tyre, të rinjtë synuan të ndërgjegjësojnë çdo person të zonës për mbajtjen e mjedisit sa më pastër. Atyre u bashkuan prindër, përfaqësues nga pushteti lokal dhe media.
“Rruga juaj është e vështirë, por e bukur. Me nismat që po organizoni po ndryshoni jo vetëm veten tuaj, por edhe atë të komuniteteve,” – u shpreh Z. Kastriot Gurra, kryetari i komunës Librazhd.
Me mbështetjen e World Vision, të rinjtë hapen aktivitetin duke shpërndarë mesazhe për më shumë veprim. “Synimi ynë është një rini sa më aktive që i vjen në ndihmë komunitetit,” – tha Megi, një nga të rejat e Elbasanit.
Në vazhdim ata prezantuan nismat e ndërmarra gjatë një viti. Pasurimi i bibliotekave me libra, aktivitete për të shmangur veset e këqija, kampe verore për fëmijët në nevojë, aktivitete ndërgjegjësuese kundër diskriminimit, dhunëns dhe të drejtave të fëmijëve ishin disa nga shumë të realizuarat.
Në mbyllje të rinjtë prezantuan gjetjet e anketës mbi problematikat më shqetësuese që hasin të rinjtë nëShqipëri. Kjo anketë u realizua nga World Vision në muajin korrik. Të pyeturit ishin rreth 400 të rinj, të moshës 12 – 24 vjeç nga: Elbasani, Librazhdi, Korça, Tirana, Dibra, Kurbini dhe Vlora. Sipas të dhënave, papunësia renditet si problemi më shqetësues me 62 %. Më pas, mungesa e qendrave dhe hapësirave për të rinj, u vlerësua me 54 %. Përdorimi i alkoolit dhe drogave doli të ishte gjithashtu një prej shqetësimeve, duke u renditur si problematika e tretë me 41%. Pjesëmarrja në proceset dhe vendimmarrjet demokratike dhe çështjet mjedisore u renditën nga të anketuarit po shumë shqetësuese.
World Vision në Shqipëri punon me mbi 2000 të rinj, duke investuar në zhvillimin fizik, emocional dhe intelektual të të rinjve, përfshirë dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.
World Vision është i përkushtuar për të krijuar mundësi që ata të qëndrojnë të lidhur me bashkëmoshatarët duke i mësuar të ngrenë zërin në nivelin vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për më shumë informacion rreth aktiviteteve të kësaj dite, lexoni në Facebookdhe Twitter