Të rinjtë për fuqizimin e vajzave dhe grave

Fuqizimi i grave dhe vajzave për të gëzuar të drejta dhe mundësi të barabarta është i rëndësishëm për arritjen e barazisë së plotë gjinore dhe përparimin socio-ekonomik të shoqërisë në tërësi.

Për të rritur ndërgjegjësimin në komunitet dhe për të çuar përpara barazinë gjinore, përgjatë muajve të fundit organizata World Vision Albania në bashkëpunim me “Eja në Teatër” ka organizuar një sërë aktivitetesh në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Aktivitetet kanë bërë bashkë qindra të rinj me aktoret më të njohura të skenës shqiptare Zamira Kita, Yllka Mujo, Olta Daku, Anila Bisha, Adelina Muça, regjisoren Driada Dervishi, si dhe drejtuesit e institucioneve.

Gjatë këtyre takimeve, të rinjtë dhe të rejat e grupeve IMPACT nënvizuan rëndësinë e nevojës për të pasur një qasje edukative dhe ndërgjegjësuese që tek moshat e hershme për të rritur vetëdijen rreth normave të dëmshme gjinore, ndërsa apeluan për shtim të fondeve për ndërhyrjet në fushën e barazisë gjinore.

“Edukimi nis që në familje. Shumë prindër nuk i trajtojnë në mënyrë të barabartë vajzat dhe djemtë. Kjo duhet të ndryshojë dhe ndryshimi vjen duke investuar në edukimin dhe fuqizimin e brezit të ri,” – u shpreh Beluli nga Durrësi, i cili përmes përfshirjes me grupet IMPACT ka ndërmarrë disa nisma komunitare me fokus barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen.

Zamira Kita theksoi se problem mbetet dhuna psikologjike, e cila sipas saj i lëndon më së shumti vajzat dhe gratë. Ndërsa për aktoren Anila Bisha, familja është institucioni i parë më i rëndësishëm që mund të kontribuojë në krijimin e një shoqërie të barabartë, ku djemtë dhe vajzat trajtohen njësoj.

“Gjithçka nis nga familja. Nëse ka dashuri dhe respekt mes bashkëshortëve, kjo do të transmetohet edhe tek fëmijët. Fëmijët duhet të rriten me frymën e respektit, barazisë dhe vlerave pozitive, në mënyrë që ti transmetojnë dhe jetojnë këto vlera,” -u shpreh Anila Bisha.

Pjesë e takimeve ka qenë edhe drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, e cila nënvizoi se World Vision punon për fuqizimin e të rinjve, duke i pajisur ata kompetenca, vlera pozitive dhe besim tek vetja, për të qenë agjentë ndryshimi në shoqëri.

“Fuqizimi i të rinjve sjell ndryshime pozitive pozitive në shoqëri. Të rinjtë janë aktorë të rëndësishëm edhe në parandalimin dhe raportimin e dhunës me bazë gjinore. Me nismat dhe angazhimin e tyre në komunitetet ku ata jetojnë, ata mund të ndikojnë në krijimin e një shoqërie të barabartë dhe pa dhunë,” – u shpreh Eljona Elmazi.

Gjatë bashkëbisedimeve, aktoret e njohura dhe drejtuesit e institucioneve i nxitën të rinjtë që të vazhdojnë të angazhohen në nisma që luftojnë pabarazitë, pasi roli i tyre është thelbësor në familje, shkollë dhe komunitet.

Turi i takimeve nisi nga Durrësi në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, për të vazhduar me Tiranën, Lezhën, Korçën, ndërsa Elbasani ishte qyteti që përmbylli këtë fushatë.