Të rinjtë mbajnë në jetë Arkidën e vogël

1_109

Arkida, 7 vjeçe, jeton në Milot, në veri të Shqipërisë. Familja e saj përbëhet nga prindërit dhe vëllai më i madh. Ata jetojnë në kushte shumë të vështira. Babai nuk mund të punojë sepse është i sëmurë. Ai është diagnostikuar me leuçemi. As mamaja nuk punon sepse nuk arrin të gjejë punë.

Vitin e kaluar, Arkida nisi shkollën. Ajo ishte entuziaste që do të takonte shokë e shoqe të reja e i gëzohej mësimeve gjithashtu. Por gëzimi i saj zgjati vetëm një javë.

Ajo filloi të ndjehej e dobët, të ndjente dhimbje në të gjithë trupin dhe të nuk kishte fuqi për asgjë. Ajo u diagnostikua me leuçemi akute. Jeta e saj ndryshoi në çast. Për shkak të sëmundjes, ajo u detyrua të braktiste shkollën dhe të humbiste një vit shkollor. Arkida kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore por familja nuk mund t’i përballonte të gjitha shpenzimet.

Arkida ishte me fat sepse, nuk ishte vetme. Tek e shihnin se si humbiste peshë dhe dëshirën për jetën copëtoi zemrat e të gjithëve. Një grup të rinjsh të cilët studionin në shkollën e saj vendosën të bënin diçka dhe të mos e linin vajzën e vogël t’i dorëzohej fatit. Samueli, Elizabeta, Vasili, Ambra, Kristjana, Ledjana dhe miqtë e tyre bënë një fushatë për mbledhje fondesh. “Ne shkuam në çdo shtëpi, derë më derë, nga mëngjesi në darkë, te çdo biznes që ne njihnim në qytet dhe kërkuam ndihmën e mësuesve, studentëve dhe prindërve tanë. Shkuam nëpër kisha dhe u kërkuam të dhuronin çfarë të mundnin”,- thotë Samueli 16 vjeç.

Ata treguan historinë e saj dhe kërkuan ndihmë për të shpëtuar jetën e saj. Çdo njeri në qytet kishte dëgjuar për Arkidën e vogël dhe për ta nuk ishte aq e vështirë sa e kishin menduar.

Ledjana mbushet me emocion kur kujton një nga ato momente. “Ne po flisnim me një kalimtare kur një grua që po lypte në rrugë na tha: Ju lutem merrini këto 30 lek që kam”. Të rinjtë kërkuan ndihmën e të rinjve të tjerë gjithashtu. Kështu u bënë rreth 70 të rinj në misionin për të mbajtur Arkidën në jetë.

Ata ja dolën. Në më pak se një javë ata mblodhën rreth 3000 dollarë. Me paratë e mbledhura, Arkida e vogël pati mundësië të merrte kujdesin mjekësor që i nevojitej. Si shumë të tjerë me sëmundjen e saj, ajo iu nënshtrua kimioterapisë. Vogëlushja humbi energji. Madje edhe flokët.

Por sot ajo i është rikthyer jetës me dëshirën për të luftuar dhe jetuar çdo ditë. Ajo filloi përsëri klasën e parë dhe mësuesja thotë se po ecën shumë mirë me mësime. “Unë kam dëshirë të bëhem këngëtare kur të rritem”, – thotë e vogla Arkida.

******

Të rinjtë, janë pjesë e grupeve të Impact Club, krijuar dhe mbështetur nga World Vision, me qëllimin për të fuqizuar të rinjtë në mënyrë që të bëhen agjentë ndryshimi dhe të sjellin ndryshime pozitive në komunitetet ku jetojnë.