“Shoqëria jonë ka nevojë për të rinj që shfaqin solidaritet, që janë faktor për të sjellë ndryshimin”- ky ishte mesazhi që Drejtoresha Ekzekutive e World Vision për Ballkanin Perëndimor Eljona Boçe Elmazi, u dha 150 të rinjve pjesëmarrës në shkollën verore “Rinia e Shqipërisë Europiane”, që po zhvillohet në Shëngjin të Lezhës.
“World Vision është një organizatë që ka në zemër fëmijët në nevojë. Në kauzën e vështirë për t’u shërbyer atyre, na duhet përfshirja e të rinjve, për shkak të energjisë, pasionit dhe forcës së tyre. Për këtë arsye, ne e mbështesim bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Shërbimin Kombëtar të Rinisë për këtë shkolle verore. Ne punojmë me 1200 të rinj në Shqipëri dhe 500 të rinj në Kosovë. Ne i japim të rinjve mundësinë për të gjetur veten, për të forcuar sensin e identitetit dhe aftësitë për jetën dhe për t’i shërbyer shoqërise. Katër janë pyetjet që çdo i ri ka: A jam qytetar i përgjegjshëm? A po i shërbej komunitetit tim? A jam i punësueshëm? A jam sipërmarrës? Të rinjtë që marrin pjesë në grupet tona fitojnë aftësitë që u duhen për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.”- theksoi znj. Boçe Elmazi duke folur për punën që World Vision bën prej vitesh me grupet e të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë.
Gjatë aktivitetit 4 ditor, organizuar nga MASR dhe SHKR dhe i mbështetur nga organizata të shoqërisë civile, të rinj që kanë kryer praktikat tre mujore të punës pranë institucioneve të Administratës Publike, por edhe të rinj vullnetarë u bënë pjesë e sesioneve informuese, trajnimeve me fokus rininë.
Gjatë këtyre sesioneve informuese, Artina Morava, Drejtoresha e Programit në World Vision u ndal tek roli i të rinjve duke vënë theksin se pavarësisht sektorit ku cdokush është përfshirë: biznes, shoqëri civile dhe për më tepër në administratë publike, fokusi duhet të jetë në shërbim të atyre që janë më në nevojë. Gjithashtu ajo ndau me të rinjtë pjesëmarrës, një pamje të plotë të punës që prej vitit 1999 kjo organizatë bën me 220 komunitete, 13 bashki dhe me 32 mijë fëmijë.
Për shembullin konkret se si rinjtë japin kontributi i tyre real ne shoqëri, Juljan Papaproko, drejtues i Programit të Rinisë në World Vision, preku shembuj konkretë si programi social “Tungjatjeta” një shërbim për 35 fëmijë me aftësi të kufizuar, puna që bëhet me rinjtë për të adresuar dhe për të denoncuar dhunën, etj. Gjithashtu ai informoi te rinjtë për punën që bëhet në Programin e Rinisë në katër shtylla: punësueshmeria dhe sipërmarrja, qytetaria aktive dhe lidershipi.