Të ndryshosh të ardhmen

Mirjan1

E ardhmja është sfiduese dhe duhet guxim për të shkelur shtigje të cilat ndoshta nuk i kishe menduar më parë. Por krahas guximit Mirjan, 20 vjecari nga fshati Staravec nga Peshkopia, i cili ka mbaruar shkollën profesionale Industriale në Shkodër, takoi mundësinë e duhur…

Takimet që ndryshuan të ardhmen

Në Janar të vitit 2018 ai u bashkua me aktivitetet e grupit SKYE Club të World Vision në Peshkopi, duke marrë pjesë në takimet që grupi organizonte. Në këto takime grupi ai mësoi sesi mund të zhvillohet një plan biznesi, si të bënte një analizë tregu dhe gjithashtu të njihte dhe mundësitë që kishin të rinjtë për punësim, të shikonte Alternativat që ofronte tregu i punës për të dhe mundësinë se si ai mund të shfrytëzonte potencialin e tij për të ndërtuar një të ardhme.

Një ide dhe shumë pikëpyetje

Para se të bëhej pjesë e grupit Mirjani ishte shumë pesimist dhe kishte menduar shumë seriozisht që të largohej nga Peshkopia drejt Tiranës, sepse mendonte se në kryetytet do të kishte më shumë mundësi për punësim. Ishte pjesërmarrja në këto takime që e nxitën Mirjanin, të mendonte dhe të kërkonte për mundësitë që ai kishte për të ndërmarrë një nismë. Ideja e tij ishte hapja e një servisi për rregullimin e elektroshtëpiakeve në qytetin e Peshkopisë. Për rreth një muaj ai mendoi për vendin se ku do ta hapte dyqanin, ku do të fokusohej në punën e tij dhe cila ishtë mënyra për të bërë reklamimin e dyqanit. Frika sesi puna do të ecte në vazhdim ishte e pranishme. Por dëshira dhe pasioni i tij për të ushtruar profesionin, njohuritë e marra në trajnim, e shtynin ta ndërrmerte këtë hap. Ai e diskutoi këtë ide me familjaret e tij, të cilët ishin të gatshëm ta mbështesin nismën, të cilën tashmë ai ia kishte vendosur si detyrë vetes.

(Mirjani duke punuar në dyqanin e tij në Peshkopi)

I zoti i vetes

I mbështetur dhe nga familja, Mirjani sot ka hapur një dyqan të vogël në Peshkopi ku punon si teknik për rregullimin e elektroshtëpiakeve. “Ndihem shumë i lumtur që sot kam një vend pune që e menaxhoj vetë dhe që po vë në zbatim njohuritë që kam marrë në shkollë. Sot është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë një zanat, por dhe të dinë se si mund të venë në punë potencialin e tyre. Unë pata fatin të mësoj për mundësitë që të rinjve iu ofrohen në zonë”-shprehet Mirjami.

Fillimisht ai po punon shumë që komuniteti ta njohin punën e tij dhe shpreson që në vazhdim të ketë sa më shumë sukses.