Të merren masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve në institucionet e përkujdesit

Koalicioni Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve

DEKLARATË PËR SHTYP

Koalicioni Bashkë për Kujdesin Tërësor të fëmijëve, në pritje të veprimeve të mëtejshme hetimore, dënon fuqishëm ngjarjen e zbuluar më 18 Maj 2016 në Qendrës Rezidenciale Shkodër.

Sipas informacioneve të deritanishme, me sinjalizimin e Avokatit te Popullit, Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet, nga ku ka krijuar dyshimet e arsyeshme se fëmijët e kësaj qendre janë abuzuar fizikisht, keqtrajtuar dhe nënshtruar ndaj punës së detyrueshme, nga ana e stafit të qendrës. Gjithashtu, sipas analizës mjeko ligjore, tre fëmijë të qendrës, vajza të moshës përkatësisht 6, 7, dhe 12 vjeç, janë defloruar gjatë qëndrimit të tyre në qendër.

Rastet e shpeshta të dhunës të identifikuara por edhe denoncuara nga institucione të pavaruara, ose jashtë sistemit të monitorimit dhe inspektimit, na bëjnë të ngremë pikepyetjet tona mbi cilësinë e monitorimeve që Shërbimi Shtetëror Social ka për detyrë të kryejë në këto qendra. Këto raste e bëjnë urgjente nevojën për vënien në punë të mekanizmave efektivë për monitorimin e shërbimeve në qendrat Rezidenciale.

Rekomandojmë fuqishëm që amendimet ligjore të ligjit të ri për Mbrojtjen e Fëmijëve, të perfshijnë një strukturë të jashtme profesionistësh të mbrojtjes së fëmijëve, e cila ju krijon atyre besimin dhe mundësinë që të ndajnë nevojat e gjendjen e tyre emocionale.

Gjithashtu, ngremë shqetësimin tonë përsa i përket proçedurave të punësimit të personelit të qendrave. Kërkojmë që këto proçedura të jenë më profesionale dhe kujdesshme, si edhe që çdo qendër të ketë Politikën për Mbrojtjen e Fëmijëve, e cila duhet të përmbajë kriteret e figurës së pastër ligjore, dhe etike, që çdo i punësuar duhet ta firmosë.

 

Përsa më sipër, Koalicioni BKTF, kërkon që, institucionet e ngarkuara ligjërisht me funksionimin, monitorimin dhe inspektimin e Qendrave Rezidenciale, të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre për ngjarjen e ndodhur, dhe të merren masat e duhura për personat pergjegjës.

 

Kësaj deklarate i bashkohet edhe:

      1.Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN, www.awnetwork.orgsi dhe Organizatat pjese e këtij rrjeti:

“Gender Alliance for Development Centre”, Tirana

“Association of Women and Girls With Social Problems”, Durres

“Me, the Woman”, Pogradec

“Agritra Vision”, Peshkopi

“Woman to Woman”, Shkoder

“Woman’s Forum”, Elbasan

“The Psycho – Social Centre “Vatra”, Vlora

“Jona” association, Sarande

2.Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”