Të jetosh pa identitet…

hankYou!

E. ka lindur dhe është rritur në një familje shumë të varfër. Ndonëse prindërit janë munduar gjithmonë të punojnë për të siguruar të ardhura për familjen, për shkak të aftësive të kufizuara fizike nuk kanë mundur. E ëma ka qenë gjithmonë shtëpiake, ndërsa i ati, kujdeset për bagëtinë e bashkëfshatrëve si dhe 4 dhitë e veta. Të ardhuratë që siguron, nuk mjaftojnë as për bukën e gojës.

7 vite nga lindja e E. në jetë erdhi e motra. Vajzat u rritën shpejt dhe E. filloi klasën e parë. Më pas e motra gjithashtu. Mes vështirësive të shumta, ato të dyja janë munduar gjithmonë t’i bëjnë prindërit krenarë e të jenë nxënëse të mira, ndonëse nuk e kanë pasur kurrë të lehtë.

E. është regjistruar në gjendjen civile si shtetase e shtetit shqiptarë vetëm 4 vite më parë, kur ishte 13 vjeçe. E motra ishte 7 vjeçe. Vajzat kishin mbetur pa identitet sepse prindërit e tyre deri në atë çast nuk kishin bërë martesë në gjendjen civile. Këtu ku duhet të kishin mbaruar problemet për E. dhe të motrën, në fakt filluan. Në gjendjen civile ndodhi një gabim që do t’i përndiqte shumë gjatë motrat nga Vlora. Në aktin e lindjes së E. u shënua emri i motrës së saj dhe e kundërta. Kështu me ditëlindjen e E. u regjistrua e motra dhe E. u regjistrua me ditëlindjen e së motrës.

“Të gjithë na pyesin si quheni dhe na shohin me dyshim. Për shkak të këtij gabimi, unë dhe motra ime nuk kemi jetuar të qeta”- thotë E.

Kur E. mbaroi arsimin 9-vjeçar, ëndërrronte të vazhdonte shkollën e mesme. Kjo ishte ëndrra edhe e prindërve të saj. Por ajo nuk mund ta bënte këtë sepse, për shtetin shqiptar ajo ishte në klasë të 5-të.

Familja kërkoi mbështetjen e World Vision për të dalë nga kjo situatë e pashoqe. Organizata, në bashkëpunim me organizatën “Vatra” paraqitën një kërkesë padi në Gjykatën e rrethit Vlorë. Sipas vendimit të gjykatës u bënë ndryshimet e nevojshme në gjendjen civile.

“Unë vij nga një familje e varfër, dhe vjet kisha mundësinë të merrja një bursë studimi por, nuk e mora dot për shkak të këtij gabimi. Por, jam shumë e lumtur që më në fund fillova gjimnazin dhe mora bursën. Jam shumë e lumtur, sepse më në fund jam UNË,  kam emrin tim, ditëlindjen time”- shprehet E.