“Në momentin kur ra tërmet kemi qenë brenda, dolëm të gjithë jashtë me vrap, ndërsa dilnim shtëpia kërciste dhe një pjesë e saj u shemb. Gjithçka që kishim mbeti brenda, shpëtova vetëm fëmijët …”- rrëfen Havija, nënë e 5 fëmijëve, një ndër to me aftësi të kufizuara. Një pjesë e shtëpisë me qira në fshatin Badinak të Durrësit ku jetonte familja është shembur, duke e kthyer banesën në të pabanueshme.
“Dolëm jashtë dhe nuk kishim asgjë, vetëm rrobat e trupit, nuk kishim as për të ngrënë, nuk kishim as lekë në telefon. Për fat më morën motrat për të më pytetur dhe na sollën për të ngrënë mua dhe fëmijëve. Me telefonin e tyre morëm policinë, që erdhi dhe qëndroi me ne, derisa u vendosëm çadrat. Natën e të shtunës dhe pasditen e të dielës e kemi kaluar në çadër, në darkë kemi ardhur këtu në Kavaleshencë”, – tregon ajo me lot në sy.
Familja e saj është një ndër 83 familjet që aktualisht janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit në Kavaleshencë të Durrësit, si pasojë e tërmetit të ditës së shtunë, ndërkohë që situata e shumë familjeve të tjera është vështirësuar edhe si pasojë e përmbytjeve nga rreshjet e mëdha të shiut.
“Këtu jemi mirë, kemi ngrënë, kemi pirë, jemi veshur, kemi patur batanije dhe jorgan për të përballuar të ftohtin”,- na thotë Havija.
World Vision në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, ka shpërndarë sete higjienike për familjet që janë strehuar gjatë këtyre ditëve në Kaveleshencë, ndërkohë që në Tiranë ka vijuar shpërndarja e paketave ushqimore dhe batanijeve për familjet e prekuar nga tërmeti, por dhe nga përmbytjet.
“Nuk kemi shtëpi, as tokë… As unë, as bashkëshorti nuk punojmë, kemi një fëmijë të sëmurë që kërkon kujdes gjithë kohës. Burri është i sëmurë dhe nuk mund të punojë punë të rënda. Nuk e dimë ku do shkojmë, kur do çojmë fëmijët në shkollë…” rrëfen gruaja, e cila është në ankth për të ardhmen e familjes së saj.
Nga të dhënat e komunikuara gjatë konktakti me bashkitë e prekura, rezultojnë se janë rreth 400 familje të prekura në Bashkinë Durrës, 540 familje në Bashkinë Tiranë, 50 familje te prekura në Kurbin dhe 300 familje të prekura nga tërmeti dhe rreth 220 nga përmbytjet në Bashkinë Kamëz.
World Vision po vijon të mbështesë në nevojat emergjente për paketa ushqimore, sete higjenike dhe me batanije në Tiranë dhe në Durrës për familjet e prekura nga tërmeti, ndërkohë që po punohet intensivisht për të mbështetur dhe familjet janë prekur nga përmbytjet në zonën e Bathores.