“Më prek shumë varfëria. Ndjehem keq kur shoh bashkëmoshatarë të mi që nuk plotësojnë dot nevojat bazë. Bota është shumë e padrejtë. Jo të gjithë kanë mundësi të vishen mirë, të hanë shëndetshëm dhe të shkollohen,” – na tregon Dorthi nga Korça, me një dhembshuri që i lexohet lehtë në fytyrë.
Në Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale, 17-vjeçarja nga klubi IMPACT apelon për më shumë ndjeshmëri; për të drejta, mundësi dhe trajtim të barabartë për çdo individ. Gjimnazistja thotë se institucionet, organizatat dhe vetë shoqëria duhet të rrisin përpjekjet për të trajtuar çështje të tilla si varfëria, gjithëpërfshirja, barazia gjinore, papunësia, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja sociale.
“Edhe kur kam qenë e vogël më bënte shumë përshtypje varfëria. Iu dhuroja shpesh rroba, lapsa e stilolapsa, shokëve dhe shoqeve që nuk kishin. Angazhimi në klubin rinor më ka ndihmuar të bëhem pjesë e nismave që kanë patur ndikim në komunitet,”- tregon Dorthi, pjesë e të rinjve nga 11 klube rinore me të cilët World Vision punon në Korçë.
World Vision gjatë vitit të fundit ka punuar me 2700 të rinj në të gjithë Shqipërinë për t’i aftësuar më shumë në lidhje me çështje si; korrupsioni, advokacia, mjedisi, dhuna, lidershipi dhe punësimi. Vetëm vitin e kaluar, Dorthi dhe bashkëmoshatarët e saj të klubeve IMPACT zbatuan 110 nisma komunitare.
“Të kesh mundësinë, fuqinë e zërit dhe mbështetjen që këtë situatë ta ndryshosh, është arritje e madhe,”- vazhdon rrëfimin e saj adoleshentja korçare.
Stefan Simaku, Lehtësues Zhvillimi për Rininë thotë se synimi i punës me të rinjtë është që të fitojnë aftësi për të qenë më efikasë, që të mendojnë në mënyrë kritike dhe të aplikojnë njohuritë e marra në situatat e jetës së përditshme.
Çdo vit, OKB përzgjedh një temë për ta trajtuar dhe këtë vit synon të adresojë “Drejtësinë Sociale në Ekonominë Digjitale”. Një fushë e një rëndësie të veçantë për trajtimin e drejtësisë sociale është arsimi. World Vision punon për të krijuar ambiente shkollore miqësore dhe gjithëpërfshirësë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë. Kjo iu siguron nxënësve perspektiva të shumëanshme duke i inkurajuar të shohin përtej vetes, duke nxitur të menduarin analitik dhe duke zgjeruar kapacitetet për të luftuar pabarazitë.
“Unë e kam një zgjidhje për të kontribuar në shoqëri. Sot kam klubin IMPACT, antidoti më i mirë për të luftuar varësinë ndaj medias sociale. Nesër do studioj për infermieri që të kem mundësi t’iu shërbej të gjithëve në mënyrë të barabartë. Po ti, a ke një zgjidhje?”- e mbyll rrëfimin e saj Dorthi, me një sfidë dhe mesazh të fortë drejtuar të gjithëve, pikërisht në Ditën e Drejtësisë Sociale.