Sponsorizimi është përkujdesje dhe frymëzim

DSC_3579

Miqësia e tyre filloi para një viti përmes letrave. Dhe, ndonëse jetojnë larg njëri-tjetrit e flasin gjuhë të ndryshme, e dinin se ishte e thënë që të bëheshin miq. Kjo s’është historia e një miqësie të zakonshme, por e një miqësie të veçantë.

Rolandi gjashtëvjeçar jeton në Lezhë, një qytet në veri të Shqipërisë. Është anëtar i një familjeje të madhe, që përbëhet nga prindërit dhe katër motrat e tij. Ai është fëmija më i vogël dhe djalë i vetëm.

Përpos mbështetjes tjetër që i siguron organizata, kur Rolandi u regjistrua në programin e sponsorizimit të World Vision para dy vitesh, pati rastin që të bënte dhe një mik të ri. Një mik që do ta vlerësonte miqësinë e tyre më tepër se çdo mik tjetër më parë.

Me kalimin e kohës, ai dhe miku e sponsori i tij, Dankan (Duncan), arritën të njiheshin përmes letrave dhe të flisnin për jetën e tyre të përditshme. Në letrat e veta, Rolandi i tregonte Dankanit për gjërat që i pëlqenin më tepër: të ngiste biçikletën, të luante futboll dhe të luante kukafshehthi. Po kështu, i tregoi Dankanit për qenin e vet, që quhet Lesio – si kujdeset për të dhe e ushqen përditë – si dhe për faktin se shkon në shkollë.

Pastaj, pas një vit korrespondence, Dankani erdhi të vizitonte Rolandin në Shqipëri. Dita kur u takuan ishte e bukur dhe plot diell. Të gjithë ishin të ngazëllyer. Takimi u bë në zyrën e World Vision në qytetin e Rolandit, në Lezhë. Çastet e para së bashku ishin të habitshme, sidomos për Rolandin. Ndonëse është vetëm 7 vjeç dhe nuk e kupton ende rëndësinë e të paturit një sponsor, ai e ka ndjerë mbështetjen dhe praninë e Dankanit në jetën e vet.

Rolandi dhe familja e tij mbajnë mend të gjitha letrat dhe fotot që u ka dërguar Dankani. Por nuk do të harrojnë kurrë sobën që ia dolën të blinin për shkak të mbështetjes së tij financiare. Për një fëmijë të vogël që jeton në skamje në Shqipëri, është e pazakontë kur dikush interesohet për një të “huaj”, për jetën dhe familjen e tij.

Për shkak të nivelit të lartë të varfërisë në Shqipëri, shumë fëmijëve u mungojnë gjërat bazë, si ushqimi, strehimi dhe arsimi. Por, edhe më shumë se gjërat materiale fëmijëve që jetojnë në varfëri u mungon shpresa për të ardhmen.

Fëmijët që jetojnë në skamje në Shqipëri kanë nevojë për motivim dhe nxitje. Kjo i nevojitet më tepër Rolandit nga sponsori i tij. Dhe pikërisht këtë po bën dhe do të vazhdojë të bëjë Dankani përmes letrave të veta.

“E di se ai ka nevojë ta dëgjojnë dhe ta nxisin”, thotë Dankan. “Këtë gjë e shoh edhe te fëmijët në kishën time në vendin tim; shpesh, ajo që u nevojitet atyre është thjesht që dikush t’u vërë veshin. Shpresoj se këtë do të mund ta bëj dhe unë për Rolandin përmes letrave të mia”.

Ditën kur u takuan, Rolandi me familjen e tij dhe me Dankanin udhëtuan në një furgon dhe shkuan për një xhiro teposhtë rrugëve me gropa të fshatit dhe Dankani të arrinte ta shihte disi më mirë realitetin e tyre. Drekuan bashkë dhe arritën të njihnin më mirë njëri-tjetrin përmes bisedave. I ati i Rolandit i rrëfeu sa të vështirë e kishte të gjente punë dhe i tregoi Dankanit për kohën kur ishte përpjekur të emigronte në Greqi për punë. I tregoi edhe për dëshirën e vet që të përmirësonte kushtet e jetesës së familjes pasi shtëpia ku jetojnë është shumë e vjetër.

Por ajo ditë s’ishte vetëm për ta. Rolandi dhe prindërit e vet donin të mësonin më tepër edhe për familjen e Dankanit dhe jetën e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Dankani u tregoi me kënaqësi për familjen e vet, e cila përbëhet nga prindërit edhe nga dy vëllezërit e tij, dhe sa shumë i pëlqen të punojë për World Vision.

Përpara se të largohej nga Shqipëria, Dankani i bleu Rolandit disa libra në shqip, të mbushur me personazhet e tij të preferuara, si Njeriu Merimangë, dhe disa enciklopedi të ndryshme ku mund të mësojë më tepër për shumë gjëra, si, për shembull, për kafshët.

(Rolandi dhe sponsori i tij, Dankan, gjate takimit te tyre)

Marrëdhënia e Rolandit me Dankanin na shërben si kujtesë e mirë për natyrën e vërtetë të sponsorizimit. S’ka të bëjë me paratë, por me përkujdesjen dhe inkurajimin. Ka të bëjë me të paturit e një miku të mirë në një tjetër pjesë të botës, i cili mendon dhe lutet për ty.

Sponsorizimi është gjaku që i jep jetë punës së World Vision në Shqipëri. Ai bën të mundur që organizata  t’i ndihmojë komunitetet për një kohë të gjatë. Rolandi është një prej 33,000 fëmijëve në nevojë në Shqipëri që janë pjesë e këtij programi dhe që, si rezultat i tij, kanë mundësinë që të përfitojnë nga shërbime shëndetësore, arsimore dhe mbrojtjeje.