Ana është 15 vjeçe. Ajo jeton në Peshkopi dhe është vajza më e madhe e familjes. Para 2 muajsh prindërit vendosën ta fejojnë me një djalë 28- vjeçar, i cili jeton në Greqi.
“Ishte tezja ajo që i tha mamit për fejesën. Burri im është kushëriri i burrit të tezes, dhe kështu që tezja ishte që në fillim dakord për fejesën. Nuk e kisha menduar kurrë që do të fejohesha kaq e vogël. Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë. Kur më thanë mu duk si bombë. Mami më tha se duhet ta pranoja sepse jam e re, kam shumë gjëra për të bërë në jetë, dhe do të jem më e lumtur.
Thash po.Tani jam këtu ku jam.
Jam më e madhja e fëmijëve në familje. Kam edhe dy motra më të vogla. Mami punon, ndërsa për babin nuk ka punë. Para se të thoja po, babi më pyeti nëse do të doja të martohesha. Më pyeti disa herë….. Pas këmbënguljes së mamit, dola për të parë atë djalin.
Nuk isha vetja, nuk e kisha mendjen, nuk e di. Mami më pyeste e më thoshte thuaj po.
Burri im është në Greqi. Flas me të. Nuk më ka ndaluar të shkoj në shkollë. Më ka thënë vijo të shkosh derisa të dua unë, pastaj dhe në verë do të iki në Greqi për pushime verore.
Të tjerët më thonë je e rritur e do vazhdosh jetën. Nuk e imagjinoj dot që tani do të më duhet të marr vendime shumë të mëdha për jetën.
Jam 15 vjeçe. Para pak ditësh po mendoja sikur të isha dhe njëherë e vogël!” – rrëfen ajo.