Ata që mendojnë se futbolli është vetëm një lojë gabohen. Shembulli më i mirë për këtë janë tifozët e kombëtares skoceze, të cilët njihen si mjaft paqësorë dhe shumë bujarë. Të premten ata do të vizitojnë Shqipërinë në prag të sfidës që Skocia do të luajë kundër Kombëtares tonë dhe sigurisht siç e do tradita e tyre, nuk do të vijnë duarbosh. “Tartan Army Sunshine Appeal” kanë grumbulluar një fond prej 5 mijë paundësh të cilin do ta japin si donacion në vendin tonë për bamirësi për fëmijët me sindromën Down, me autizëm dhe nevoja të veçanta. Kushti i vetëm është që organizata e cila merret me menaxhimin e fondit të jetë jopolitike dhe jofetare.