Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, Liljana ka rrëmbyer me shpejtësi dy fëmijët e saj të vegjël, dhe ka dalë në oborr. Brenda pak minutash në shtëpinë e saj pranë bregut të lumit në Tiranë, vërshoi uji. Të medhenjtë nuk vunë gjumë në sy sepse “ruanin” lumin. Ishte ora 3 e mëngjesit kur uji vërshoi brenda shtëpisë. “U tmerruam. Menduam për fëmijët të parët. Patëm frikë se do na vinte uji për fund”, tregon Liljana.
Kasollja e Lilijanës, e ngritur pranë bregut të lumit nuk ishte e vetmja që u përpi nga uji. Edhe tre banesa të tjera u shkatërruan plotësisht brenda pak orësh. Liljana dhe pjestarët e familjes së saj u vendosën pranë shkollës Kolë Jakova, në njësinë bashkiake nr, 11 në Laprakë. Por, aty nuk ishin vetëm.
Aty ndodheshin edhe 3 familje të tjera, të cilat ishin evakuar gjatë mesnatës. Aty takuam Antonetën. Ajo na tregoi se nipi i vogël, Franko, 4 vjeç ka rrezikuar jetën mbrëmë. “Djalin e mori uji. Vrapova ta merrja në krahë dhe e nxorra jashtë. Më pas dolëm të gjithë”, tregon ajo. Këtë të diel vajza ime do të martohet, por uji ka marrë çdo gjë. Paja e sime bije, dhe e gjithë shtëpia nuk është më. Nuk e di çfarë do të bëhet me ne, thotë Antoneta ndërsa nuk pushon së qari.
Punonjësit e World Vision gjatë ditës së sotme kanë dhënë ndihmën e parë për familjet e evakuara duku u siguruar dyshekë, jastëkë, batanije, jorganë dhe ushqim. Por jo vetëm kaq. World Vision po punon në këto zona të përmbytura ngushtësisht me strukturat e pushtetit vendor, në mënyrë që të sigurojë ndihmën dhe asistencën e duhur për çdo fëmijë dhe familje në situatë emergjente. Temperaturat kanë nisur të ulen dhe rreshjet e shiut vijojnë.
Situata e pergjithshme
Në të gjithë vendin numërohen dhjetra familje të permbytura. Vetëm në Kurbin, familjarët e 20 shtëpive janë evakuar. World Vision, si pjesë e Task Forcë po ndihmon me paketa ushqimore dhe me mjete të tjera të domosdoshme në këto ditë të ftohta. Në këtë situatë emergjence, ku shkollat janë mbyllur dhe në shumë zona ka probleme të mëdha me infrastrukturën, World Vision, po bashkëpunon ngushtë me bashkitë dhe prefekturat. Punonjësit tanë po shkojnë në zonat e dëmtuara dhe po bisedojnë me njerëzit në Durrës, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kurbin. Njëkohësisht po punohet me pushtetin lokal për të gjetur zgjidhje afatgjata.
Përmes një komunikimi të fundit, Minsitria e Bujqësisë ka njoftuar se situata në Lezhë dhe Kurbin paraqitet e rënduar, me qindra hektarë tokë janë nën ujë. Në Shkodër, lumi Buna ka dalë nga shtrati. Kanelet e III-ta janë të mbushura me ujë në nivel baraz me sipërfaqen e tokës. Në Lushnje, deri tani nuk ka sipërfaqe toke të përmbytura, por kanalet janë të mbushura deri në pikën kritike dhe nëse vazhdon të ketë reshje, shumë shpejt situata mund të përkeqësohet.