Shqipëria dhe Mali i Zi po thellojnë bashkëpunimin në fushën e punësimit dhe aftësive, me synim krijimin e më shumë mundësive për qytetarët në të dyja vendet. Një vizitë studimore dyditore në Shqipëri, e përqendruar te shkëmbimi i praktikave dhe përvojave, u përmbyll me nënshkrimin e një Marrëveshjeje Partneriteti mes agjencive publike të punësimit të dy vendeve.
Vizita u zhvillua në kuadër të projektit “Nxitja e punësimit të denjë për të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga World Vision Albania, në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe Agjencinë e Punësimit të Malit të Zi.
Nga përvoja në terren, te bashkëpunimi institucional
Dita e parë e vizitës u fokusua te njohja me praktikat e punësimit në Shqipëri. Delegacioni nga Mali i Zi vizitoi Drejtorinë Rajonale të Punësimit dhe Aftësive në Lezhë, ku u njoh me shërbimet e AKPA-së dhe diskutoi mbi sfidat, përvojat dhe mundësitë për bashkëpunim, veçanërisht në zonat ndërkufitare.
Më pas u zhvillua një sesion bashkëbisedimi mes stafeve të dy agjencive, ku u prezantuan edhe rezultatet e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian. Pjesë e diskutimit ishin të rinj nga Shkolla e Mesme Profesionale “Kolin Gjoka”, të trajnuar në ICT dhe gra të punësuara me mbështetjen e projektit. Ata ndanë historitë e tyre dhe treguan se si mbështetja e marrë përmes projektit ka kontribuar në krijimin e mundësive të reja për rritjen e aftësive, punësim dhe vetëpunësim.
Përvojat e tyre sollën një dimension konkret në shkëmbimin institucional, duke treguar se si shërbimet dhe mbështetja në fushën e punësimit mund të përkthehen në mundësi reale për njerëzit.
Pas këtij shkëmbimi të përvojave dhe praktikave, dita e dytë e vizitës solli një hap konkret për ta thelluar dhe vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen.

Një partneritet për më shumë mundësi
Në ditën e dytë, vizita vazhdoi në Tiranë, ku Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe Agjencia e Punësimit e Malit të Zi nënshkruan një Marrëveshje Partneriteti, duke krijuar një kuadër për shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave dhe praktikave të mira, si dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta në fushën e punësimit dhe aftësive.
Marrëveshja u nënshkrua nga Klevis Hysa, Drejtor i Përgjithshëm i AKPA-së, dhe David Perčobić, Drejtor i Agjencisë së Punësimit të Malit të Zi, në prani edhe të Eljona Elmazit, Drejtore Ekzekutive e World Vision Albania.
Të dy drejtuesit shprehën kënaqësinë për thellimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e krijimit të më shumë mundësive për qytetarët në të dyja vendet.
“Jemi të kënaqur që po e thellojmë bashkëpunimin mes dy institucioneve tona. Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira na ndihmon të forcojmë shërbimet dhe të krijojmë më shumë mundësi për qytetarët në të dyja vendet.” – Klevis Hysa, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive
“Ky bashkëpunim është një mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të ndërtuar zgjidhje të përbashkëta, me synimin për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe personat që kërkojnë punë.” – David Perčobić, Drejtor i Agjencisë së Punësimit të Malit të Zi
Përtej rezultateve të drejtpërdrejta për të rinjtë, gratë dhe personat e papunë, një nga vlerat e bashkëpunimit ndërkufitar është ndërtimi i marrëdhënieve dhe mekanizmave që mund të vazhdojnë edhe përtej kohëzgjatjes së një projekti.
“Marrëveshja e sotme është një shembull konkret i kësaj qasjeje: dy institucione publike nga dy vende fqinje po forcojnë bashkëpunimin e tyre për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të njerëzve dhe tregut të punës, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e kohezionit ndërkufitar, ndërsa të dyja vendet avancojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”
– Eljona Elmazi, Drejtore Ekzekutive e World Vision Albania
Marrëveshja krijon një bazë për bashkëpunim të vazhdueshëm mes dy institucioneve, duke e çuar shkëmbimin e nisur gjatë vizitës studimore drejt zhvillimit të nismave të përbashkëta edhe në të ardhmen.
