Shpresë nga “Tungjatjeta… jetë”

34817692_10156448614653686_709564649254682624_nok ok

“Në fillim nuk e besoja, që do të vinte një ekip profesionistësh në shtëpinë tonë. Kur ju filluat të vinit në familjen time, ndjeva mbështetje. Ndjehem shumë e lumtur dhe shpresoj që të vijnë çdo ditë. Tani Emanueli është më i qetë kur bën terapi dhe reagon më shumë.  Dëshira ime më e madhe është që djali të jetë i aftë për veten”- këto janë fjalët e nënës së Emanuelit, 5-vjeçarit që vuan nga Sindroma WEST, në fshatin Skroskë të Librazhdit.

Prej dy muajsh, ekipi lëvizës i “Tungjatjeta… Jetë” nga World Vision, i përbërë nga një psikoterapist, logopodist, psikolog dhe punonjës social, ofron shërbime të specializuara në shtëpi, pa pagesë për 35 fëmijë, që jetojnë në zonat e thella të Librazhdit.

”Kur dëgjova që dikush kishte menduar për Donaldin, u ndjeva me shpresë dhe falenderoja Zotin për këtë gjë. Në momentin që ju erdhët, as vetë nuk e kuptoja çfarë ndieja…Kisha emocione dhe më dukej vetja, sikur u ringjalla!”- na tregon e ëma e Donaldit. 11-vjeçari nuk mundet as të ecë e as të flasë.

Prej pak kohësh specialistët e ekipit “Tungjatjeta jetë” kanë nisur punën me Donaldin. Familja e tij ka shpresë se, pak nga pak djali do fillojë të përmirësohet.

Dhe pse nuk ka shumë kohë që ju vini këtu, unë shikoj që Donaldi reagon ndaj ngacmuesve të jashtëm dhe më ndjek me sy. E vetmja gjë që kërkoj është të më thotë “Ma…”, – thotë e ëma e Donaldit.

Janë copëza historish të vërteta, të mbushura me emocionet e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, që kanë gjetur tek ky program një mundësi që nuk e kishin deri tani. Këta speciaistë janë shpresa e tyre e madhe se një ditë të vegjëlit e tyre do të bëhen më mirë.

“Tashmë pas pesë vizitash, jemi bërë shokë, por u trishtova shumë kur e takova për herë parë Manuelin, djali 5-vjeçar. Ai është diagnostikuar autizëm infantil. Mërzitja lexohej në fytyrën e tij, nuk të shikonte në sy.” – na tregon Dorela, fizioterapiste në ekipin lëvizës  të Tungjatjetës.

Mes të tjerash ajo tregon: “Sapo futem në derë, Manueli qesh, më shikon në sy dhe zgjat dorën për të filluar “LOJËN “, kështu duket për të terapia, që realizojmë së bashku në shtëpinë e tij.”

“Tu – ngja- jeta” është një përshëndetje, nga më të bukura shqiptare. Thuaji dhe ti “Tungjatjeta”, bëhu pjesë e programit social për fëmijët me aftësi të kufizuara.

#Dhuro një #Tungjatjeta