Një ndër problemet më të mëdha me të cilat do të përballet ekonomia dhe shoqëria shqiptare në vitet në vijim do të jetë tkurrja e forcës punëtore. Raporti i tranzicionit i BERZH 2018-2019 jep alarmin, pasi thotë se, deri në vitin 2040 Shqipëria do të humbasë 16% të popullsisë në moshë pune. Ky projeksion duket se është rrjedhojë jo vetëm i tendencës së viteve të fundit për t`u larguar nga vendi, sidomos të të rinjve, por edhe e të dhënave që flasin për një dëshirë ende mjaft të lartë për t`u larguar nga vendi.