Nga mbledhja dhe kultivimi i qëndrueshëm i bimëve mjekësore te zhvillimi i ekoturizmit dhe përfshirja e të rinjve në mbrojtjen e biodiversitetit, nisma të ndryshme po kontribuojnë në ruajtjen e pasurive natyrore dhe përmirësimin e mundësive të jetesës në Dibër.
Dibër, 4 nëntor 2026 – Ruajtja e biodiversitetit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i komuniteteve janë të lidhura ngushtë. Kur burimet natyrore menaxhohen me përgjegjësi dhe banorët përfshihen në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të tyre, krijohen mundësi për të ardhura, punësim dhe zhvillim ekonomik, duke ruajtur njëkohësisht pasuritë natyrore për brezat e ardhshëm.
Dje, së bashku me përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Prespa Ohrid Nature Trust – PONT , Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura , Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Dibër (AdZM Dibër) dhe Bashkisë Dibër, vizituam Dibrën për të parë nga afër disa nga nismat që World Vision Albania po mbështet në partneritet me PONT.

Mundësi ekonomike për gratë përmes përdorimit të qëndrueshëm të bimëve mjekësore
Një nga ndalesat ishte takimi me një grup grash dhe vajzash që po zhvillojnë veprimtari ekonomike përmes mbledhjes së qëndrueshme dhe kultivimit të bimëve mjekësore.
Në partneritet me PONT, World Vision Albania i ka mbështetur ato në organizimin në grupe, përmes trajnimeve, pajisjeve të nevojshme dhe njohurive praktike për menaxhimin e aktivitetit, përmirësimin e cilësisë së produkteve, përmbushjen e standardeve dhe identifikimin e tregjeve. Kjo mbështetje synon t’i ndihmojë gratë të zhvillojnë veprimtari ekonomike, duke përdorur burimet natyrore në mënyrë të përgjegjshme dhe pa dëmtuar rigjenerimin e tyre, por edhe përmes kultivimit të tyre.
Gjatë bashkëbisedimit, Anila ndau përvojën e saj në krijimin e një pike të vogël shitjeje, përmes së cilës jo vetëm tregton bimët mjekësore, por u krijon mundësi edhe grave të tjera të grupit të shesin produktet e tyre dhe t’u përgjigjen kërkesave të tregut.

Ndërkohë, Hajria ka nisur kultivimin e fidanëve të çajit të malit në fermën e saj. Në pranverën e vitit 2027, këta fidanë pritet t’u shpërndahen rreth 20 grave të tjera të zonës, duke nxitur zgjerimin e kultivimit organik të kësaj bime karakteristike për Dibrën.
Ekoturizmi, një mundësi për të njohur dhe vlerësuar pasuritë natyrore
Një tjetër ndalesë e vizitës ishte Popinara, ku partnerët panë nga afër Ballkonin Panoramik, të ndërtuar rreth 1,700 metra mbi nivelin e detit.
I vendosur në një peizazh me vlera të veçanta natyrore dhe në përputhje me Planin e Menaxhimit të Parkut Natyror Korab-Koritnik, ballkoni ofron një pikë pushimi dhe vrojtimi për vizitorët. Prej tij mund të shijohen pamje drejt Dibrës, Bulqizës dhe Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.
Ky është ballkoni i dytë panoramik i realizuar nga World Vision Albania, me mbështetjen e PONT dhe në bashkëpunim me AKZM-në dhe administratat rajonale të zonave të mbrojtura, pas atij të ndërtuar në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në Librazhd.

Përtej krijimit të një infrastrukture për vizitorët, investime të tilla synojnë të rrisin vlerën turistike të zonave të mbrojtura dhe të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale.
Të rinjtë, pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen e biodiversitetit
Një pjesë e rëndësishme e këtij partneriteti i kushtohet edhe fëmijëve dhe adoleshentëve. Në bashkëpunim me shkollat, 769 fëmijë dhe adoleshentë kanë marrë pjesë në aktivitete edukative dhe trajnime për njohjen e biodiversitetit, vlerësimin e pasurive natyrore dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura.
Përmes këtyre aktiviteteve, ata kanë mundësi të njohin më mirë mjedisin ku jetojnë, të kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së tij dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve për të rritur ndërgjegjësimin në komunitetet e tyre.

Rezultatet e partneritetit të World Vision Albania me PONT
Nismat në Dibër janë pjesë e partneritetit më të gjerë të World Vision Albania me Prespa Ohrid Nature Trust (PONT). Nga tetori 2023 deri në shtator 2026, përmes këtij partneriteti janë arritur drejtpërdrejt 985 persona dhe janë mbështetur 98 iniciativa të gjelbra, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e mundësive ekonomike për familjet dhe komunitetet lokale.
Përmes mbështetjes për gratë, zhvillimit të ekoturizmit dhe edukimit të brezit të ri, këto nisma tregojnë se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi i komuniteteve mund të ecin së bashku. Kur njerëzit kanë mundësi të përfitojnë nga burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme, ata bëhen edhe pjesë më aktive e mbrojtjes së tyre.


