Rreth 50 të rinj dhe të reja nga shkollat profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër dhe “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin u bënë bashkë në një vizitë dy-ditore në Shkodër, ku diskutuan mbi pengesat me të cilat ata ballafaqohen në punësim dhe sipërmarrje në sektorin e turizmit, por edhe strategjitë për tejkalimin e këtyre pengesave dhe të qenit konkurrues.
Zhvillimi profesional, personal dhe ndërkulturor ishin temat e sesioneve të kombinuara edhe me aktivitete rekreative për të rinjtë me synim nxitjen dhe ndërveprimin mes tyre, ndarjen e eksperiencave dhe modeleve më të mira lidhur me zhvillimin e turizmit.
Me synim nxitjen e tyre që të zhvillojnë një rrjet më të gjerë, të rinjtë e shkollave profesionale ndanë mes tyre idete rreth punësimit dhe sipërmarrjes si edhe përvojat e përbashkëta duke i hapur udhë mundësisë së bashkëpunimit rreth ketyre ideve, por edhe miqësi dhe bashkëpunim ndërkufitar mes dy vendeve fqinje.
“Gjatë bisedës me fqinjët Ulqinakë kuptuam që shumë sfida ishin të ngjashme në vendet tona. Aftësitë e buta dhe njohuritë e reja janë avantazhe për të cilat të rinjtë kanë nevojë,“– u shpreh Kristi 18 vjeç nga Shkodra, duke shtuar se “Tani kam miq të rinj nga Ulqini dhe pse jo në të ardhmen do të kemi edhe bashkëpunime”.
Ata diskutuan se si pajisja me aftësi të buta, kualifikimet e duhura apo të qenit konkurues në tregun e punës, si mënyra për të tejkaluar këto sfida.
Përgjatë kësaj eksperience dy-ditore në Shkodër u organizua edhe një workshop me 15 mësues nga Shkodra dhe Ulqini për të ndarë mbi praktikat më të mira në lidhje me zhvillimin e kurrikulave të këshillimit për karrierë, programeve mësimore të turizmit dhe kurseve të specializuara në këtë fushë, por edhe mundësitë e shkëmbimit të këtyre praktikave.
100 të rinj nga Shkodra dhe Ulqini janë përfshirë në projektin “Rrugët e Zhvillimit të Karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e Turizmit”, financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me organizatën Horizonti i Ri, Institucioni Publik Shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin dhe shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër.