Tiranë – Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos vizitoi Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, ku diskutoi me autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht për progresin me reformat themelore dhe ato në drejtësi.
Gjatë ditës së dytë të vizitës, Komisonerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos u ndal në Elbasan, ku pa nga afër se si projektet e BE-së po ndikojnë në jetën e njerëzve. Ajo mori pjesë edhe në një event të organizuar nga World Vision Albania në kuadër të projektit RISE HER, i cili zbatohet në partneritet me Forumin e Gruas Elbasan, ku zhvilloi një bashkëbisedim me gra të guximshme, të mbijetuara të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Aktiviteti i quajtur “Të lulëzosh pas stuhisë”, krijoi një ambient miqësor, të sigurt dhe inkurajues, ku gratë viktima të dhunës me bazë gjinore ndanë hapur përvojat dhe mendimet e tyre me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian që ishin të pranishëm në takim.
“Pata mundësinë të flas me të mbijetuarat e dhunës në familje të cilat kanë kapërcyer të kaluarën e tyre me ndihmën e BE dhe World Vision Albania. Qëndrojmë pranë tyre për komunitete më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse,” – shkroi Kominionerja Kos në llogarinë e saj në Twitter, ku ritheksoi angazhimin e Bashkimit Evropian për krijimin e mundësive të barabarta, adresimin e pabarazive dhe fuqizimin e vajzave dhe grave.
Bashkëbisedimi që zgjati 60 minuta u zhvillua pa praninë e medias dhe u moderua nga drejtori ekzekutiv i World Vision Albania, Eljona Elmazi, e cila falenderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe ritheksoi angazhimin e World Vision për të vazhduar punën për fuqizimin e vajzave dhe grave për një jetësë të pavarur dhe pa dhunë.

Krahas dëshmive personale, gratë e pranishme në takimin me Komisioneren dhanë edhe rekomandime për përmirësimin e politikave dhe shërbimeve. Qëllimi i takimit ishte që zërat e mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore të dëgjohen dhe që mendimet e tyre të kontribuojnë në ndryshime të rëndësishme.
Bashkë po ndërtojmë komunitete më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse, si dhe një Shqipëri më pranë BE.
Alfons Çupaj, PR and Communications Specialist – World Vision Albania

