Ai trazon vetë çajin, dallon objektet, frutat, tregon për nevojat personale e madje hipën e zbret vetë nga karroca. Kledi ishte 3 muajsh kur kaloi një temperaturë të lartë që i shkaktoi shumë pasoja në shëndet.
Djaloshi nga Librazhdi nuk mund të flasë, të ecë e as të ushqehet, por pas punës së vazhdueshme të nënës dhe mësueseve në qendrën komunitare ai ka filluar të komunikojë përmes gjesteve.
Me lot në sy, e ëma e Kledit, Flutura tregon: “Më duket sikur ka filluar të ecë pasi ka ardhur në qendër!”
Mësuesja e Kledit, Hamide Çota tregon se atij i pëlqen të jetë i rrethuar nga shumë njerëz: “Iu buzëqesh jo vetëm njerëzve me të cilët kalon pjesën më të madhe të ditës, por edhe atyre që sheh për herë të parë.”
Kur është në shtëpi e ëma tregon se ai vazhdimisht kërkon të shkojë në qendrën komunitare, ku tashmë rreth 470 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe prindër do të kenë mundësi të marrin shërbime të specializuara ditore.
Statistikat tregojnë se në Librazhd ka një numër të lartë të personave me aftësi të kufizuar. Sipas mjekut Arben Alla shkaqet janë të shumta. Mes tyre doktori përmend largësinë nga qendrat urbane, mosdiagnostikimin në kohë, martesat ndërmjet personave me aftësi të kufizuar, rritjen e jetëgjatësisë, mosndjekjen e shtatëzanisë, mungesën e kulturës shëndetësore e shumë faktorë të tjerë të rinj.
“Në faktorët e trashëguar të problemeve të aftësisë së kufizuar është edhe ndotja e lartë mjedisore siç është për qytetin e Elbasanit dhe rrethinat rreth tij ku është dhe numri më i lartë i këtyre personave dhe konkretisht bëhet fjalë për ish- metalurgjikun.”- thotë Alla.
Bashkëpunimi i World Vision me MEDPAK dhe Bashkinë e Librazhdit pritet të kontribuojë jo vetëm në fuqizimin e prindit dhe familjes, por edhe në ofrimin e shërbimeve të specializuara.
Mbështetja e fëmijëve dhe të rinjve do realizohet duke u bazuar në Planin Individual të Edukimit i cili do të hartohet në bashkëpunim me Zyrën Arsimore, specialistët e qendrës, prindërit dhe bashkëmoshatarët e fëmijëve dhe të të rinjve.
Drejtori kombëtar i World Vision, Toni Gogu e cilësoi si një takim historik. “Vendi ku jetojmë mund të bëhet më i mirë! Jeta njerëzore në qenien e vet kur çlirohet krijon bukuri e madhështi, pavarësisht se ndonjëherë trupit njerëzor i mungojnë disa aftësi.”- u shpreh z.Gogu.
Zela Koka është drejtuese e MEDPAK, por në radhë të parë është nëna e një personi me aftësi të kufizuar. Sot ajo nuk është vetëm përkrah djalit të saj, por kërkon të jetë mbështetje edhe për ato fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuara.“Kemi akoma familje që i mbajnë fëmijët brenda mureve të shtëpisë për shkak të stigmës.Terapia më e mirë është që t’i ndihmojmë fëmijët të shkojnë në shkollë.”- tha Zela.
Duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët në Librazhd, por edhe në Shqipëri, kryebashkiaku Kastriot Gurra e cilësoi këtë qendër si një dallëndyshe të parë që do të merret si model nga të gjitha bashkitë e tjera.
Të dhënat e para të studimit të parë kombëtar për prevalencën e aftësisë së kufizuar tek fëmijët në Shqipëri, i mbështetur nga World Vision dhe Save the Children treguan se 1 në 10 fëmijë në Shqipëri, ose rreth 10% e fëmijëve të moshës 2 deri ne 17 vjeç ka të paktën një vështirësi të një shkalle të thelluar në funksionim dhe zhvillim.