Organizata World Vision Albania është tejet e tronditur që rastet e dhunës ndaj fëmijëve, vazhdojnë të ndodhin. Ne dënojmë çdo formë dhune, abuzimi dhe neglizhimi dhe bëjmë thirrje për të garantuar mbrojtjen e plotë të çdo fëmije.
Mbrojtja, siguria dhe përkujdesja për fëmijët janë çështje serioze, të cilat duhet të marrin vëmendjen kryesore të të gjithëve. Është koha që të mbajmë premtimet e bëra ndaj fëmijëve dhe të forcojmë mekanizmat e llogaridhënies për promovimin dhe mbrojtjen të drejtave të tyre. Duhen analizuar sa më parë dhe në mënyrë të plotë të gjitha boshllëqet dhe pengesat që cënojnë parandalimin e hershëm të dhunës, duke shkaktuar trauma tek vetë fëmijët, por edhe e gjithë shoqëria. Një theks i veçantë duhet vendosur tek fuqizimi i angazhimit dhe koordinimit ndër-sektorial, ku të gjithë sektorët që ofrojnë shërbime rreth fëmijës dhe familjes, të kuptojnë rolin dhe përgjegjësinë e tyre në mbrojtje të fëmijëve të përcaktuara me ligj, si dhe të veprojnë në përputhje me rolin që iu është ngarkuar.
Çdo fëmijë duhet të ndihet dhe të jetë i sigurt në familje, në institucione arsimore, në shoqëri apo kudo ndodhet. Ndaj duhen forcuar mekanizmat dhe sistemet mbështetëse në komunitet, duke rritur vetëdijësimin e prindërve, të mësuesve, punonjësve të shëndetësisë, punonjësve të rendit, si dhe çdokujt tjetër, për të kuptuar rreziqet që iu kanosen fëmijëve, si edhe mënyrat për t’iu përgjigjur atyre. Ne vendosim theksin në nevojën për të hartuar dhe zbatuar politika që do të mundësojnë trajtimin me prioritet dhe në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës të çdo rasti të dhunës ndaj fëmijëve, në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës.
Rastet e fundit të dhunës, neglizhimit dhe abuzimit, na kanë treguar se ka nevojë për reflektim dhe për veprime konkrete të cilat sjellin ndryshim në qëndrimin dhe sjelljen e të gjithë aktorëve përkundrejt mbrojtjes së fëmijëve. Ndaj thirrja jonë është që çdo i rritur, qoftë në familje, komunitet apo institucione të forcojë mekanizmat që respektojnë, promovojnë dhe mbrojnë çdo fëmijë.
Vetë fëmijët duhet të jenë pjesë e të gjithë këtij procesi sepse vetëm kështu do të arrijmë t’i kuptojmë më mirë, t’i ndihmojmë më shumë, por edhe t’i informojmë mbi mekanizmat e raportimit dhe t’i sigurojmë se fjala e tyre dëgjohet dhe merren masa konkrete për të zgjidhur situatat që të mos përshkallëzohen.
Tani, ka nevojë për të vepruar për të mbrojtur fëmijët!