Humbja tragjike e jetës së dy fëmijëve në Durrës, teksa luanin në trotuar, dhe plagosja e një tjetri, është një tragjedi thellësisht tronditëse dhe e papranueshme që prek të gjithë shoqërinë.
Në këto momente të vështira, mendimet tona janë me familjet që kanë humbur të shtrenjtit e tyre, si dhe me fëmijën e plagosur, të cilit i urojmë shërim të plotë dhe të shpejtë.
Çdo fëmijë ka të drejtën të jetojë dhe të rritet në një mjedis të sigurt. Kur fëmijët nuk janë të sigurt as në hapësirat publike pranë shtëpive të tyre, kjo tregon nevojën urgjente për forcimin e masave të sigurisë, sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta për fëmijët.
Ngjarja tragjike e djeshme, vetëm pak javë pas një rasti tjetër ku një fëmijë humbi jetën në rrugë në Tiranë, nënvizon edhe më tej nevojën urgjente për veprim të koordinuar dhe të qëndrueshëm për sigurinë e fëmijëve në hapësirat publike dhe komunitetet ku ata jetojnë.
Siguria dhe mbrojtja e fëmijëve kërkon veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar, përmes zbatimit të rreptë të legjislacionit për sigurinë rrugore dhe qarkullimin e mjeteve, forcimit të masave parandaluese në zonat e banuara, planifikimit urban miqësor ndaj fëmijëve dhe investimeve në infrastrukturë të sigurt dhe masave efektive parandaluese.
Si një organizatë që punon prej 27 vitesh me dhe për fëmijët, bëjmë thirrje për veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të garantuar që hapësirat publike të jenë të sigurta për çdo fëmijë.
Asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë jetën apo të lëndohet në hapësira që duhet të jenë të sigurta për ta.
Siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet i çdo vendimmarrjeje.