Fatjoni është punësuar si ndihmës-elektriçist në një kompani private në #Kurbin. Pak nga pak situata ka filluar të ndryshojë për mirë. Pas rikthimit nga Gjermania, e pas vështirësive të shtuara ekonomike veçanërisht pas dy emergjencave si tërmeti dhe pandemia COVID-19, familja e më së shumti fëmijët nuk e patën të lehtë ripërshtatjen në Shqipëri. Krahas përballjes me kushte të vështira të jetesës dhe gjendjes ekonomike, ai thotë se fëmijët hasën vështirësi psiko-emocionale.
“Fëmijët e tij dhe të mitë, edhe pse nuk shprehen shumë e ndjejnë ndryshimin dhe kanë vështiresi në përshtatjen me gjendjen këtu. Është e dhimbshme t’i thuash fëmijës që s’mund të sigurojmë disa nevoja për shkak të gjëndjes ekonomike dhe të rrethanave këtu. Gjithashtu, atyre iu mungojnë aktivitetet dhe shoqëria atje,” – shprehet Fatjoni.
Shëndetësia, shkollimi, shërbimet shoqërore dhe përmirësimi i cilësisë së jetës ishin arsyet kryesore që e motivuan për emigrim, Fatjonin edhe familjen e tij. Të jesh emigrant nuk është aspak e lehtë, vështirësitë ishin shumë të mëdha për Fatjonin edhe familjen e tij. Pas 4 vitesh në azil, në Francë dhe në Gjermani, 37-vjeçari u kthye në Shqipëri, së bashku me vajzën dhe bashkëshorten.
“Pak kohë pasi u ktheva unë, erdhi dhe im vëlla. Kthimi ka qëne shumë i vështirë për të gjithë ne. Vellai i vogel, e ka përjetuar edhe me keq. Tërmeti, pandemia dhe izolimi ne fakt na kanë mërzitur dhe shtuar edhe frikën dhe pasigurinë për shëndetin dhe sigurimin e të ardhurave për familjen tonë,” – tregon Fatjoni.
Të dyja familjet, së bashku me nënën e sëmurë u detyruan të strehohen në një shtëpi të vogël, me kushte jo të përshtatshme për të banuar. Mes shumë përpjekjesh për të përmirësuar jetën e tij dhe të familjes, ai mori pjesë në trajnimin “Empowered World View’’, si pjesë e projektit REINVEST 2. Ndër të tjera, ai mori pjesë në aktivitetet me zyrën e punës, që kanë pasur qëllim mbështetjen dhe familjarizimin me skemat e punësimit, kurset profesionale, ashtu edhe keshillimin dhe orientimin për punësim. Fatjoni thotë se ky angazhim ka qenë me shumë vlerë për zhvillimin e tij profesional.
“Këshillimi nga stafi dhe sugjerimi për punësim me beri të tregoja inters për punësim. Shoh një të ardhme të mirë në Shqipëri. Nëse do të vazhdoja në këte punë ose në një punë tjetër të ngjashme me këtë, e cila me mundëson mbështetje për familjen time, nuk do e konsideroja për asnjë moment largimin sërish nga vendi im’’- tregon ai.