Projekti i parë Kia Green Light në Evropë: Qendra në Librazhd i dorëzohet Bashkisë, sigurohet vazhdimësia e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara

Qendra Multifunksionale Kia Green Light në Librazhd, e financuar nga Kia dhe e menaxhuar nga World Vision Albania, i është dorëzuar Bashkisë Librazhd, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara .

Për familjet që jetojnë në zonat e thella malore të Librazhdit, marrja e shërbimeve të specializuara për fëmijët nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Por për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, sfidat nuk lidheshin vetëm me distancën, por edhe me mungesën e shërbimeve të specializuara, vështirësitë ekonomike të familjeve të familjeve të tyre, dhe nevojën për më shumë mbështetje.

Pikërisht për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, në vitin 2023 nisi Projekti Kia Green Light në Shqipëri, iniciativa e parë e këtij lloji e Kia-s në Evropë. Përmes partneritetit mes Kia, World Vision Albania dhe World Vision Korea, projekti synoi të sjellë shërbime të specializuara më pranë fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara, të mbështesë fuqizimin ekonomik të familjeve të tyre dhe të forcojë kapacitetet e profesionistëve të shëndetësisë dhe arsimit.

Por suksesi i një projekti nuk matet vetëm nga ajo që arrin të bëjë gjatë kohës që zbatohet. Ai matet edhe nga ajo që mbetet në komunitet pasi projekti përfundon.

“Qëllimi kryesor i Projektit Green Light është të mundësojë funksionimin e qëndrueshëm dhe vazhdimësinë e shërbimeve, edhe shumë kohë pasi përfshirja e drejtpërdrejtë e Kia-s të ketë përfunduar,” tha Eunjoo Lee, Drejtuese e Ekipit të Menaxhimit të Qëndrueshmërisë në Kia, gjatë ceremonisë së dorëzimit të Qendrës Multifunksionale Komunitare Kia Green Light te Bashkia Librazhd.

Gjatë fjalës së saj, ajo shtoi: “Shqipëria ka një vend të veçantë në këtë projekt, pasi është nisma jonë e vetme në Evropë.”

Shërbime më pranë fëmijëve dhe familjeve

Në Librazhd, projekti solli shërbime të specializuara më pranë fëmijëve dhe familjeve që kishin nevojë për to.

Përmes Qendrës Multifunksionale Komunitare Kia Green Light, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara patën akses në shërbime të specializuara, si fizioterapi, logopedi dhe terapi zhvillimore. Por mbështetja nuk u kufizua vetëm te qendra.

Shërbimi lëvizës u mundësoi specialistëve të vizitonin fëmijët në shtëpitë e tyre. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për fëmijët që jetojnë në zona të largëta, për të cilët distanca mund të bëhej pengesë për marrjen e shërbimeve të specializuara.

Në total, 97 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara përfituan nga shërbimet e specializuara, në qendër dhe përmes vizitave në shtëpi. Gjithashtu, rreth 1,750 fëmijë, të rinj, prindër, profesionistë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe fermerë u përfshinë në aktivitetet e projektit.

Projekti mbështeti gjithashtu prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të gjeneruar të ardhura dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre ekonomike.

Një histori që nisi shumë më herët

Projekti Kia Green Light nuk nisi nga zero. Ai u ndërtua mbi përvojën e World Vision Albania, që për rreth dy dekada vijon të punojë me fëmijët, të rinjtë, familjet dhe komunitetet në Librazhd.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj pune ka qenë mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara. Përmes programit “Tungjatjeta Jeta”, World Vision Albania solli për herë të parë shërbime të specializuara drejtpërdrejt në shtëpitë e fëmijëve dhe familjeve që kishin më pak mundësi t’i aksesonin ato.

Kia Green Light u ndërtua si vazhdim i kësaj përvoje, duke zgjeruar modelin përmes Qendrës Multifunksionale në Librazhd dhe duke ruajtur edhe shërbimet në shtëpi.

“Një nga faktorët kryesorë të këtij suksesi ka qenë bashkëpunimi i fortë mes institucioneve, një partneritet që e kemi ndërtuar dhe forcuar përgjatë shumë viteve,” tha Eljona Elmazi, Drejtoreshë Ekzekutive e World Vision Albania.

Ky partneritet ndihmoi në përmirësimin dhe zgjerimin e shërbimeve, forcimin e kapaciteteve lokale dhe mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, duke krijuar bazën për një model që mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit.

Nga projekti, te qëndrueshmëria

Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij partneriteti është se shërbimet nuk përfundojnë me përfundimin e projektit. Pas tre vitesh zbatimi, World Vision Albania, në partneritet me Kia dhe World Vision Korea, i ka dorëzuar Bashkisë Librazhd menaxhimin e Qendrës Multifunksionale Komunitare Kia Green Light.

Përmes bashkëpunimit me Bashkinë Librazhd, stafi i specializuar dhe shërbimet e ngritura gjatë projektit do të vazhdojnë të mbështesin fëmijët dhe familjet, përmes qendrës dhe shërbimeve në banesë.

“Bashkia Librazhd është e angazhuar të sigurojë vazhdimësinë e këtyre shërbimeve, në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të vazhdojnë të marrin mbështetjen për të cilën kanë nevojë,” tha Mariglen Disha, Kryetar i Bashkisë Librazhd.

Kjo është në thelb ajo që synon një partneritet i qëndrueshëm: të krijojë jo vetëm shërbime, por edhe kapacitete lokale që mund të vazhdojnë të funksionojnë dhe të sjellin ndikim edhe pas përfundimit të financimit apo përfshirjes së drejtpërdrejtë të partnerit.

Një komunitet më gjithëpërfshirës

Përtej shërbimeve të specializuara, projekti ka ndihmuar në krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës për fëmijët dhe të rinjtë. Vullnetarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces, përmes aktiviteteve që kanë nxitur pjesëmarrjen, ndërveprimin social dhe ndjenjën e përkatësisë.

Për Danjelën, 18 vjeçe, e cila ka qenë pjesë e projektit si vullnetare, kjo përvojë ka qenë po aq e rëndësishme sa vetë aktivitetet.

“Jam shumë e lumtur që gjatë këtyre tre viteve pata mundësinë të jem pranë fëmijëve, t’i shoh duke u rritur, socializuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre. Përvoja ime si vullnetare më ka mësuar se edhe pak kohë dhe përkushtim mund të sjellin një ndryshim domethënës në jetën e njerëzve,” tha Danjela, 18 vjeçe, vullnetare.

Rreth Kia Green Light

Projekti Kia Green Light është pjesë e nismës globale të përgjegjësisë sociale të Kia-s, e nisur në vitin 2012 për të mbështetur zgjidhje të qëndrueshme dhe të udhëhequra nga komuniteti për komunitetet në nevojë. Që nga fillimi i saj, iniciativa ka mbështetur 19 qendra në 15 vende në Afrikë, Evropë dhe Azi. Shqipëria u përzgjodh si projekti i parë Green Light i Kia-s në Evropë, duke zgjeruar shtrirjen globale të programit dhe duke iu përgjigjur nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.

Alfons Çupaj
PR & Communications
World Vision Albania