Gështenja e Gurakuqit

Pyjet me gështenjë natyrale, mosha e të cilëve është rreth 500 vjeçare, historikisht janë trajtuar dhe mirëmbajtur nga banorët e fshatrave, Rinas, Gurakuq e Ballgjin të krahinës së Çermenikës në Librazhd. Vendi ynë ka kushte shumë të mira klimatike dhe tokësore për rritjen dhe prodhimin e gështenjës.Fillimisht gështenjat janë përdorur për plotësimin e nevojave personale për konsum familjar, ndaj kjo është arsyeja që gështenja në shekuj është kultivuar dhe përdorur pothuajse në të gjitha zonat kodrinore e malore, duke u konsideruar si “bimë bamirëse” për njeriun dhe faunën e egër të pyllit. Frutat e gështenjës përpunohen industrialisht, ku nga bluarja e tyre prodhohet mielli i gështenjës, i cili tregto-het për përpunim në guzhinat familjare dhe përdoren për përgatitjen e tortave, biskotave, pastave, çokollatave, etj. Gështenja gjithashtu është një kullotë mjaft e pëlqyer dhe shumë e vizituar nga bletët.

Lajthia

Fruti i lajthisë është i pasur me proteina, yndyra të pangopura, celulozë, kripëra etj. Konsumohet i freskët, i thatë dhe i përpunuar industrialisht. Frutat e thata janë të pasura me vlera ushqimore si: proteina, calcium, fosfor, hekur, kalium, etj. Lajthia përdoret gjërësisht në pastiçeri për përgatitjen e pralinës dhe në kombinime me çokollatë dhe mbushje të ndryshme, për prodhimin e Nutelës. Vaji i lajthisë është shumë aromatizues dhe përdoret në gatime të ndryshme.

Çfarë është FoodHub?

Food Hub është një qendër që do të shërbejë si Pikë Grumbullimi për mbledhjen, certifikimin, marketimin dhe shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale në bashkinë Librazhd. Kjo qendër do të jetë një risi për fermerët e zonës dhe do t’ju japë një hov zhvillimi produkteve lokale si dhe do të nxisë rritjen e prodhimit të produkteve vendase. Produktet e nxjerra nga një zonë me klimë të përshtatshme, tokë ushqyese dhe plot vlera organike do t’i gjeni në FoodHub, i cili ndod-het në Murrac, pranë rrugës nacionale, 3 km nga Librazhdi.

Çfarë do të gjeni në FoodHub?

Gjithçka që fermerët dhe familjet në zonën e Librazhdit kultivojnë: mjaltin, arrat, lajthitë, gështenjat, fruta-perimet, boronicat dhe nënprodukte si: komposto, reçel, fruta të thata, etj.

Kush më siguron cilësinë?

Fermerët që prodhojnë për FoodHub janë trajnuar për ruajtjen e vlerave dhe cilësisë së produkteve. Produktet tona do t’i nënshtrohen kontrollit dhe vetëm ato që kalojnë testet e cilësisë do të mbajnë logon FoodHub, e cila do të shërbejë si certifikata juaj për cilësi.

Patatja e Steblevës

Patatja është një nga kulturat që ka siguruar mbijetesën e njerëzve të zonës së Steblevës, duke filluar që prej vitit 1950. Patatja është një kulturë që kërkon toka të lehta dhe të pasura me lëndë organike dhe që zhvillohet mirë në lartësinë 900 deri 1500 m mbi nivelin e detit, ndaj zona e Steblevës është e përshtatshme për kultivimin e saj. Patatja ka sasi të madhe vlerash ushqyese.

Cilat janë produktet tona të veçanta?

Arrat e Gizaveshit

Arra është një ushqim shumë i mirë për zemrën, trurin dhe gjithë organizmin. Në fshatin Gizavesh të Librazhdit ndodhet një kultivar i veçantë arre, që quhet “Arra e Gizaveshit”, e cila gjendet në një lartësi mbi 800 metra mbi nivelin e detit. Sipas gojëdhënave, flitet se këto arra janë sjellë nga Stambolli (Turqia) rreth 200 vjet më parë nga një banor i fshatit dhe për disa kohë ato janë quajtur “Arra stamollie”. Me kalimin e kohës, ato kanë marrë emrin e vendit ku kultivohen. E gjithë krahina e Çermenikës në zonën e Librazhdit është e njohur për arrën autoktone shqiptare, e cila rritet në çdo fshat të saj. Kjo krahinë ka klimën, tokën, si dhe kushte shumë të përshtatshme për kultivimin e arrave.

Mjalt lulesh dhe Gështenja

Mjaltë i veçantë është edhe ai që përfitohet nga ushqimi i bletëve me nektarin e luleve të listrës, akacies, blirit dhe shumë luleve të tjera, të cilat gjenden me shumicë në territorin e Bashkisë Librazhd. Mjalti ruhet në vende të pastra, të thata dhe të freskëta. Mjalti i Librazhdit është një produkt me vlera të veçanta kuruese për shëndetin e njeriut. Vlen të përmëndet mjalti i gështenjës së Gurakuqit, i cili përftohet nga ushqimi që merr bleta nga lulet e gështenjës gjatë periudhës qershor - korrik. Ka një ngjyrë të lëkurës se kokrrave te gështenjës, shije dhe aromë të veçantë. Ndikon në luftën ndaj infeksioneve, forcimin e sistemit imunitar dhe kurimin e mjaft sëmundjeve të tjera.