Pranvera dhuron një buzëqeshje

Eliani

Ajo është studente dhe, ndërsa e sheh të qeshur, mes fëmijëve, veshur thjesht me xhinse e një bluzë pambuku rozë, studimet e larta për financë zor se mund të të shkojnë në mend. Por kjo nuk është e vetmja e papritur e Pranvera Guxhos. 19-vjeçarja nga Elbasani është një e re sa e apasionuar pas fëmijëve, letërsisë, udhëtimeve, punëve të dorës, po aq sa edhe pas ideve konkrete, atyre që duhen hedhur në projekte, me të cilat konkurrohet me shumë të tjerë e të cilat zbatohen jo në vetmi. Siç ishte fondi modest që ajo fitoi nga World Vision me një projekt-ide të mirëpërqendruar: Për 6 ditë me rradhë, një kamp i vogël fundvere plot argëtime e lojëra, për 15 fëmijë nga Elbasani, shumica e të cilëve kanë humbur baballarët dhe jetojnë vetëm me nënat.  Projekti nisi në 2 shtator dhe u mbështet nga World Vision si pjesë e filozofisë bazë me të cilën organizata punon me të rinjtë në Shqipëri: t’u lërë hapësirë ideve të tyre krijuese për të ndihmuar fëmijët e komuniteteve ku banojnë. Organizata e hapi publikisht nismën gjatë muajit korrik dhe, brenda 2 javësh, megjithë sezonin e pushimeve, 55 të rinj aplikuan me projekte. Fituesit, siç edhe ishte sqaruar që në krye të herës, do të ishin 10. Pranvera, është një prej tyre.

“Më kujtohet shumë mirë dita e parë, kur nisa. E kisha patur gjithnjë ëndërr të bëja diçka për fëmijët që nuk kanë njërin nga prindërit. Mendoj që lihen shpesh në hije nga shoqëria, ndihen të izoluar. Jeta e tyre ka nevojë për më shumë gëzime, zbavitje. Por, kur i pashë në sallë të 15 fëmijët (ajo qesh ndërsa kujton se të vegjëlit ishin ende të papërqendruar), më kapi frika se nuk do të mund t’i kënaqja ashtu si duhej. Pastaj, kur filluam lojërat, kur filluam t’i bëjmë shokë me njëri-tjetrin, gjithçka filloi të merrte formë. E shoh qartë që po kënaqen”.

 

Dhe kjo është e vërtetë. Disa ditë më parë, Paola dhe Eljani, dy 7-vjeçarë që më parë nuk e njihnin njëri-tjetrin, por që aty u bënë shokë të ngushtë, ishin vetëm dy nga fëmijët që i pëshpërisnin : Të lutem,  na mblidh prapë vitin tjetër, në 2 shtator. Po kënaqemi shumë”. Kjo për studenten që sivjet shkon në vitin e dytë të Universitetit të Ekonomisë, ishte një nga çastet më të bukura të gjithë asaj që ndodhi. “Më vjen mirë që ia dola mbanë. Qëllimi i projektit tim ishte të zhvilloja aftësitë krijuese dhe bashkëpunuese të fëmijëve përmes lojërave dhe punimeve të ndryshme dhe kjo ndodhi.  Pjesa më e madhe e lojërave ishte në grup prandaj fëmijëve u duhej të bashkëpunonin për të fituar”. Nga ana tjetër, punimet “artistike” dhe vizatimet e të vegjëlve kërkonin shumë imagjinatë.  “Po mbjell një bimë sepse edhe emri im e ka prejardhjen nga një bimë që rritej në kështjella të larta”, – thotë Genta duke treguar vazon e saj.

Ngjashmëri, ëndrra, dëshira; fëmijët i kanë hedhur të gjitha në këto vizatime dhe lojëra, bashkë me studenten e financës.

“Vendosa të vizatoj një peshk sepse gjithnjë kam dashur të kem një peshk si kafshë shtëpiake”, – thotë Eljani.

World Vision nuk ka qenë e vetmja ndihmë që Pranvera ka marrë në këtë projekt. Shumë nga idetë e lojërave kanë qenë të mamit të saj dhe vajza beson që prej saj ka trashëguar gjithë këtë dëshirë për fëmijët dhe lojën. Por as mami nuk ka qenë e vetmja në listën e të dashurve që i kanë qendruar pranë. Kushërirat dhe motrat kanë qenë me të në çdo hap, bashkë me fëmijët, dhe kanë shijuar po me aq dëshirë ëndrrën e Pranverës. Që, me ç‘duket, ka qenë edhe ëndrra e tyre.