Përgjithmonë i ri

afrimi

Afrimi është thuajse gjithmonë në lëvizje, shpesh në këmbë dhe rrallëherë ulur pa bërë asgjë. duket se gjithmonë gjen vend për mundësi të reja që e bëjnë të ndjehet i ri dhe pa tepri mund të themi se deri tani konkurent ka vetëm vetveten.

‘Kampioni i Ecjes’ ishte sfida 1-mujore që World Vision në Shqipëri ndërmori për tu kujdesur për shëndetin dhe mirëqenien personale të stafeve të saj. Kjo nismë i inkurajoi njerëzit të mendonin dhe vepronin edhe më shumë në të mirë të shëndetit të tyre fizik e mendor, por duke pasur në vëmendje edhe kujdesin që duhet t’i kushtojmë mjedisit.

Ai i është bashkuar skuadrës së World Vision Albania, në vitin 2015 si Lehtësues Biznesi dhe që prej asaj dite nuk ka reshtur së punuari. Vazhdimisht është përpjekur të përmirësojë jetët e njerëzve që e rrethojnë, qofshin këta familjarët e tij, kolegë apo fermerë. Nga ana tjetër duket se gjithmonë gjen vend për mundësi të reja që e bëjnë të ndjehet i ri dhe pa tepri mund të themi se deri tani konkurent ka vetëm vetveten.

‘Kampioni i Ecjes’ ishte sfida 1-mujore që World Vision në Shqipëri ndërmori për tu kujdesur për shëndetin dhe mirëqenien personale të stafeve të saj. Kjo nismë i inkurajoi njerëzit të mendonin dhe vepronin edhe më shumë në të mirë të shëndetit të tyre fizik e mendor, por duke pasur në vëmendje edhe kujdesin që duhet t’i kushtojmë mjedisit. Nëse ecim më shumë në këmbë, përdorim më pak makina, vemë në lëvizje muskujt, marrim ajër të pastër dhe ndikojmë drejtpërdrejt në krijimin e një balance të shëndetshme midis jetës në punë dhe jetës personale e familjare.

Me një mesatare ditore prej 21 mijë hapash fitues i sfidës së hapave ishte Afrimi, 65-vjeçari korçar.

Duket se ka sfiduar moshën, kohën e pensionit dhe çdo lloj algoritmi tjetër që njihet për moshën e tij. Stereotipi i pensionistit që punon në një organizatë ndërkombëtare i përshtatet shumë me tipin dhe energjinë e pashtershme. Ai gjithmonë kujdeset për veten, por këtë herë përmes veprave na përcjell dy mësime që janë edhe temat e ditës në të gjithë botën: – Një mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë, por edhe ne natyrë e mjedis të pastër.

“Pranova direkt”, – thotë ai, – “madje i shkova vetë drejtoreshës së burimeve njerëzore. Në fillim pyeta një prej kolegeve, i them si është kjo punë se nuk e kuptoja. Kolegia më sqaron që është një aplikacion që duhet shkarkuar i cili mat hapat. E shkarkova menjëherë dhe u regjistrova. Një moment, drejtuesi i skuadrës më pyet: “Afrim, a do regjistrohesh në këtë sfidë?”

“Pse nuk pyet, a u regjistrove”, – i thashë “Po kam një javë që jam bërë pjesë. Madje ditën e fundit të sfidës, kur ishim mbledhur si skuadër në një event, bëra dhe xhiro më këmbë nga hoteli deri te dogana shqipatre që të shtoja hapat. Kolegët më luteshin “Hip në makinë!”, por unë isha shumë i qartë në qëllimin tim. Madje po fillonte dhe pak shi dhe nuk ndalova së ecuri,”

Kështu e tregon Afrimi pjesën e garës dhe sfidës për jetesën e shëndetshme.

“Patjetër që kishte disa faktorë që korresponduan me jetën time shumë aktive këto muaj të sfidës. Unë kisha shumë punë në fermën time, kisha sezonin e mbledhjes së fasules, e cila është një kulturë bujqësore që kërkon shumë po shumë punë, shumë aktivitet. Përveç kësaj, kisha shumë punë nga vetë projekti: shpërndarjen e inputeve bujqësore për fermerët që janë përfitues të projektit: lajmëro njërëzit në fshat, priti, jepu DAP, nitrat, mushamatë, pomat spërkatëse, pomat vaditëse, markuçët. Të gjitha këto lëvizje janë. Po shikja një ditë me kuriozitet ç’ndodhte me regjistrimin e hapave dhe vura re se që në orën 4:30 të mëngjesit që zgjohesha për të bërë punët e fermës e deri ne oren 7:30 që nisesha për në punë në World Vision, i kisha bërë 5000 hapa. Këto përkthehen në lëvizje të mirëfillta: pastro vendin e kafshëve, ushqe kafshët shtëpiake, hap dyert e magazinës, mbyll dyert, çdo detaj i mundshëm i aktivitetit në fermë,”– thotë ai.

Por edhe në të kaluarën duket se Afrimi nuk ka qenë më pak aktiv se tani. E nisi karrierrën e tij si mësues në shkollën bujqësore e cila nënkuptonte dhe punë në terren, në fermat e kooperativës, punë direkte me nxënës dhe agronomë. Këtë profesion si mësues e ushtroi deri në vitin 1992 kur shkollat bujqësore u prishën dhe sisteme të tjera shkollimi për bujqësinë u themeluan në ato vite në Shqipëri.

“E bëra me shumë dëshirë kalimin nga intelektuali në fermer. Nuk e pata fare problem. Toka ishte e imja, vetëm po të mos doje të punoje, pastaj mund të rrije e të justifikoheshe. Kishim fëmijët për të rritur dhe e shikonim, bashkë me bashkëshorten si detyrim prindëror që duhej përmbushur,”– vijon ai.

Kështu, Afrimi nuk ka patur asnjë ditë të jetës si i papunë, ai kaloi nga i punësuar në i vetpunësuar e së fundmi i dy punësuar.

“E kaluara ime ka qenë plot me aktivitet. Asnjë ditë nuk ka qenë ditë pushimi. Ata që njohin familjen time në fshat më thonë që i ngjaj babait. Në fermën që kisha sapo fillonte muaji Prill e deri në Tetor me mbledhjen e fasules ditët ishin shumë të ngarkuara. Kam arritur të menaxhoj sipërfaqe të tëra të mbjella me kultura bujqësore. Kurse tani që jam në World Vision, nuk i përballoj dot kaq shumë, kam vetëm 6 dynymë fasule dhe disa të tjera me grurë.”

Afrimi ka lëvizur gjithmonë më këmbë në zonën përreth banesës së tij derisa u bë më një shok: biçikletën.

Ndërkohë shton: “Gjithmonë kam bërë jetesë të shëndetshme: ushqimin e kam përzgjedhur gjithmonë me kujdes. Teprimet dhe abuzimet nuk i kam qejf. Aktivitetin fizik e kam të domosdoshëm dhe të nevojshëm. Suksesin e dua dhe e synoj në çdo fushë të jetës. Kështu pra e kam shijuar shumë garën e hapave. Patjetër që edhe nëse nuk do kisha fituar nuk do mërzitesha, por e rëndësishme për mua është që hyra me seriozitet dhe me gatishmëri të lartë për të fituar. E shijova çdo moment dhe patjetër akoma më shumë momentin kur u shpalla fitues, kur mora urimet, kur dëgjova duartrtokitjet e kolegëve dhe përgëzimet.”

Kur e pyet se si kanë reaguar familjarët e tij, thotë se jo gjithmonë e kanë mbështetur sepse kanë patur frikë se mos rrezikonte shëndetin duke u sforcuar më shumë seç duhet. “Bashkëshortja më qorton herë pas here, sidomos tani që mbusha dhe zyrtarisht moshën për pension. Por unë ju them që nuk vjen asnjë gjë e keqe nga aktiviteti fizik. Unë gjithmonë nisem me qëndrimin për të dalë mirë në punë, në jetë, në shkollimin e fëmijëve, në arritjet në fermën time. Nuk kam dyshuar asnjëherë te suksesi. Sot i pasuksesshëm është ai që nuk përpiqet. Nuk e pranoj filozofinë e dështimit. Puna e mban gjallë njeriun, puna është jetë, është argëtim, është zhvillim, nuk ka rëndësi se sa fiton. Të gjithë duhet të punojnë edhe pas pensionit. Dua të vazhdoj të punoj sa më gjatë që të jetë e mundur,”– shprehet ai i vendosur dhe i bindur në vendimin që ka marrë.

Jo rrallëherë është përpjekur të ndikojë edhe të tjerët. Ka shumë për të treguar, ndaj na jep edhe një shije të punës me komunitetet që ka punuar.

“Sa herë kthej sytë prapa, te puna që kam bërë me fermerët, më vijnë ndër mend edhe momente të mira edhe jo aq të pëlqyeshme. Ka fermerë që nuk punojnë, nuk e shfrytëzojnë mundësinë që kanë. Në këto raste mërzitem shumë. Sa herë i takoj ju them të përpiqen sa më shumë sepse bujqësia nuk të le asnjëherë në baltë. As unë isha bletërritës, por vendosa një moment të merresha më rritjen e tyre sepse është oportunitet i madh. E kështu nisa të lexoj, të informohem, të pyes farmacistët për shëndetin e bletëve e me radhë. Njeriu duhet të provojë. Nuk ka asnjë justifikim për dështim në bujqësi,”

Megjithatë, babai i dy fëmijëve dhe gjyshi krenar i Pablitos ka edhe një mesazh për rininë sot: “Sa më larg telefonit. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm dhe telefoni të mban larg. Telefoni të mban larg familjes, larg punës, larg zakoneve të shëndetshme. Kurse aktiviteti fizik është mëse i nevojshëm dhe i domosdoshëm, ecja të mban gjithmonë të karikuar, sportet të japin energji, ke shumë përfitime…mbetesh përgjithmonë i ri” … dhe pas këtij mesazhi, një tjetër i dytë pasion për të përfunduar kështu një pjesëz nga historia e një njeriu që thotë se të punuarit dhe aktiviteti e mban ‘gjallë’: “Kur fokusohesh te suksesi, te përmirësimi, nuk ke kohë të merresh me gjëra të tjera”.