Klea është vlerësuar me notë maksimale në të gjitha lëndët mësimore dhe jo rrallë herë ka marrë fletë lavdërimi. 17 vjeçarja është në vitin e tretë gjimnaz e tregon se më në fund shqetësimi i saj për të vazhduar shkollën e lartë për mjekësi ka filluar të marrë zgjidhje: “Një ditë sa u ktheva nga shkolla më tha nana dhe mami që sponsori ishte interesuar për studimet e mia. Shtanga! Nuk e prisja që Joana të më ndihmonte me studimet. Mendova se arrita deri në shkollën e mesme e nuk do kisha mundësi të bëhesha kirurge. Ai ishte momenti më i lumtur i jetës sime sepse pa u diplomuar nuk e imagjinoj dot të ardhmen time!
Por unë e di situatën ekonomike e nuk mund t’iu kërkoja prindërve diçka që ata nuk e kishin në dorë. Fatmirësisht sponsori ka premtuar se do të më mbështesë financiarisht gjatë ciklit të studimeve universitare.
E kam pasur gjithmonë ëndërr të bëhem dikush në jetë e kur u njoha me World Vision ëndrrës iu bashkua shpresa! Ata më mundësuan të bëhesha pjesë e organizimeve me fëmijë të tjerë, eventeve, vizitave, kampuseve, pra gjëra që familja ime nuk i përballonte dot.
Babi ka qenë me periudha të gjata kohore pa punë, por ai ka bëri të pamundurën që unë të regjistrohesha në një gjimnaz të mirë. Pavarësisht çdo gjëje ai hyri në shumë borxhe për të më paguar shkollën, por jo gjithmonë arrinte t’i siguronte në kohë. Edhe pse isha një ndër nxënëset më të mira, dëftesa qendronte te sekretarja se nuk kisha bërë pagesën. Kjo ishte shumë e dhimbshme për mua…
Por me mbështetjen e familjes dhe të nënës së dytë Joanës, unë mund të realizoj ëndrrën time, të prindërve, të gjyshërve e në të ardhmen të jem për motrën e vëllain krahu i djathtë për të ecur në jetë.”