Asllani nga Thumana është pensionist. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar duke punuar si traktorist dhe bujk, ndërsa vitet e fundit është marrë edhe me punime dekorative.
Parmakët dhe tavolinën dekorative të ballkonit ku po qendron për të shmangur rrezet e forta të diellit, 68-vjeçari i ka punuar me duart e veta, por shtëpia është e djalit të tij. Shtëpia e vjetër e familjes ku ai jetonte me bashkëshorten është shpallur e pabanueshme nga autoritetet shtetërore për shkak të dëmtimeve të shumta që mori nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Asllani thotë se nuk përfitoi dot një të re nga procesi i rindërtimit.
“Ne jemi të ndarë prej vitesh me djalin, por këtë nuk e kishim zyrtarizuar tek zyrat e gjendjes civile. Kjo na penalizoi, mua dhe bashkëshorten, dhe na la pa shtëpi. Tani jemi të detyruar të rrimë në një ambient të vogël,”-thotë Asllani.
7 anëtarët e familjes banojnë në një shtëpi njëkatëshe me 3 dhoma, e ndërtuar krah shtëpisë së vjetër. Asllani shprehet se familja e tij siguron të ardhura kryesisht përmes punës në bujqësi dhe blegtori.
“Toka është i vetmi burim të ardhurash që kemi. Kam 12 dynym, por kostot për ta punuar janë shumë të larta dhe një pjesë të tokës e kam dhënë me qira. Pjesën tjetër e mbjellim kryesisht me misër, jonxhë dhe perime të ndryshme,”- na tregon ai.
Ndër vite, ai është përpjekur ta mbjellë një pjesë të tokës së tij edhe me pemë të ndryshme frutore. Vështirësitë ekonomike kanë qenë pengesë për të, por ditët e fundit objektivi i tij është bërë realitet.
Ai është mbështetur me 20 rrënjë portokalle, 20 rrënjë mandarina, 20 rrënjë dardha dhe 5 rrënjë ullinj, të cilat i ka mbjellë dhe brenda pak vitesh pret të marrë prodhim prej tyre.
Duke parë potencialin që ka për të gjeneruar të ardhura përmes punës në bujqësi, familja e Asllanit u përzgjodh për t’u mbështetur në kuadër të projektit “Përmirësimi aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente”. Projekti i financuar nga UNDP Albania dhe që zbatohet nga World Vision Albania po implementohet në bashkinë Krujë, një prej zonave më të prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe më pas nga pandemia Covid-19.
“Pemët janë ushqim, jetë, trashëgimi. Dua që nipërit dhe mbesat të kenë me bollek për të konsumuar për vetë, por pse jo, edhe për të shitur,”- thekson i buzëqeshur Asllani, mirënjohës për mundësinë që i është dhënë.
68-vjeçari është mbështetur edhe me një makineri elektrike për korrjen e barit. Kjo makineri, siç pohon vetë ai, i ka siguruar edhe punë me kohë të pjesshme në fshat. Shumë nga bashkëfshatarët e marrin për të pastruar oborret e shtëpive të tyre, kundrejt një pagese.
Përmes projektit “Përmirësimi aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente” 115 familje në Fushë-Krujë, Thumanë dhe Bubq po mbështeten me paketa ushqimore, inpute bujqësore e blegtorale, dhe trajnime e këshillim psikologjik se si të përballojnë më mirë situatat emergjente në të ardhmen.
Ky ndërhyrje është marrë në kuadër të “Përgjigje e Mbrojtje Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Projekti mbështet Qeverinë Shqiptare dhe tre bashki të prekura nga tërmeti, në procesin e dizenjimit dhe përkthimit të politikave që synojnë në ndërmarrjen e veprime të duhura lokale për të siguruar që burrat, gratë, vajzat dhe djemtë që jetojnë në varfëri, ose situata të cënueshme, që ndërthuren me kushtet pas tërmetit, të kenë akses në shërbime sociale të integruara dhe cilësore.