Të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë do të mbështeten me trajnime për të fituar aftësi të buta dhe digjitale, do të përfitojnë praktika profesionale dhe do të pajisen me aftësi sipërmarrjeje për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të krijuar mundësi për vetëpunësim.
Mbështetja do të ofrohet në kuadër të projektit “Nxitja e punësimit të denjë për të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian përmes IPA – Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014 -2020 dhe menaxhohet nga Ministria e Financave (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga organizata World Vision Albania, Agjencia e Punësimit në Mal të Zi dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri.
Projekti ka nisur në Janar 2025 dhe do të zbatohet në 7 bashki – Lezhë, Kurbin, Mirditë (Shqipëri), Podgoricë, Tuz, Ulqin dhe Plavë (Mali i Zi). Ai ka në fokus fuqizimin e të #rinjve, grave dhe personave të papunë, përmes rritjes së aftësive për punësim dhe krijimit të mundësive për vetëpunësim.
Projekti do të mbështesë:
- 30 studentë të shkollave profesionale
- 140 të rinj të papunë
- 40 gra artizane dhe burra zanatçinj të angazhuar në ekonominë familjare
Gjatë lançimit në Lezhë, partnerët zbatues të projektit, komuniteti i biznesit, si dhe drejtuesit e shkollës profesionale “Kolin Gjoka” u njohën me objektivat dhe aktivitetet e parashikuara dhe vendosen ura komunikimi për realizimin me sukses të tij.






