Me dëshirën e madhe për të ndihmuar njerëzit më në nevojë të zonës, 36 fëmijë, të moshës 11 dhe 15 vjeç nga qeveritë e nxënësve të shkollës: Sohodoll, Dohoshisht dhe Dovolan në Dibër, mblodhën dhe shpërndanë pako me ushqime, prodhime bujqësore (qepë, fasule, patate etj) dhe veshje për 21 familje. Të trajnuar nga World Vision mbi Qëllimet Globale për Zhvillim të Qëndrueshëm,këta nxënës vendosën të përfshihen menjëherë, duke dhënë ndihmën e tyre për ta zvogëluar sadopak varfërinë.
Si fillim bënë një listë me ato më të varfrat. Më pas e ndanë planin edhe me komunitetin, të cilit, të prekur nga ideja humane e grupit, ndihmuan me sa mundën me ushqime e para. Me lekët e grumbulluara fëmijët blenë të tjera ushqime.
“Për të ndihmuar sa më shumë, pyetëm dhe përfshimë edhe mësuesit tanë, të cilët na ndihmuan me emrat e familjeve dhe me ushqime,” – shpjegojnë nxënësit. “Para se t’u shpërndanim pakot, u bëmë vizita dhe u treguam për nismën dhe qëllimin tonë të mirë,” – thonë ata.
Dea, 14 vjeç, një nga vajzat e grupit tregon: “Kjo nismë më beri të kuptoj se sa shumë fëmijët kanë nevojë për ndihmë dhe sa pak duhet për t’iu kthyer buzëqeshjen”.
“Këta janë shumë të vegjël, por ama mendojnë edhe për ne që kemi nevojë. Shumë faleminderit!”- tha Dëshira, nënë e katër fëmijëve, e cila u ndihmua nga Dea dhe miqt e saj.
Kjo nuk është nisma e vetme për këto qeveri nxënësish. Ata kanë pastruar qytetin nga mbeturinat dhe u kanë folur qytetarëve për rëndësinë e mbajtjes pastër të ambjentit. Dy muaj më parë realizuan edhe aktivitete për të drejtat e fëmijëve dhe aftësinë e kufizuar. Ndanë me bashkëmoshatarët informacione mbi të drejtat e fëmijëve dhe u folën atyre mbi rëndësinë e gjithëpërfshirjes.
Lexoni më shumë mbi nismat e fëmijëve dhe të rinjve, me të cilët World Vision punon, në faqet tona të Facebook dhe Twitter