Nxënësit mobilizojnë komunitetin për një oborr të ri shkolle

DSC_4813 (1)

Për ta është viti i fundit që do të jenë në këtë shkollë, por menduan se tanimë janë mjaftueshëm të rritur dhe të përgjegjshëm për t’u kujdesur për më të vegjlit. Behet fjalë për 16 senatorë të qeverisë së nxënësve të shkollës “Karl Gega” në Lezhë. Kanë menduar një mënyrë origjinale për rregullimin e oborrit të një prej shkollave të vogla të Balldrenit, asaj të Kodrës: shfaqjen e një filmi. Të ardhurat e shitjes së biletave do i shërbenin nismës së tyre për të pasur një oborr shkolle, i denjë të quhet i tillë.

Nostalgjikë për kohën kur mësonin në bankat e vogla të shkollës së Kodrës, ato kujtojnë edhe vështirësitë që kanë hasur teksa luanin në oborr. “Edhe ne kemi kaluar fëmijërinë në atë shkollë dhe e dimë se në çfarë gjendje të keqe është oborri. Fëmijët nuk kanë ku të luajnë apo të kryejnë aktivitetin fizik sepse oborri është i pashtruar dhe mbushet me baltë sa herë bie shi” tregon Markela, presidente e senatit të shkollës.

Oborri i shkollës së Kodrës në Balldren ku mësojnë rreth 200 vogëlushë nga klasa e parë në të pestën. 

Në shtator të vitit të kaluar, Lezhës iu rikthye kinemaja pas më shumë se 25 vitesh. Qëllimi i grupit “Vizioni Rinor” për t’i sjellë gjallërinë kinemasë së Lezhës për çështje sociale, duket se po merr udhë. “Në qytet nuk ka shumë alternativa për të kaluar kohën e lirë. Vendosëm ta shfrytëzojmë kinemanë, meqenëse tani e kemi një të tillë, njëkohësisht për t’u argëtuar por edhe për një qëllim më të mirë” – thotë Dorina, një nga anëtaret e Qeverisë së Nxënësve.

“Ne jemi 16 senatorë të Qeverisë së Nxënësve, por kemi me vete shumë më shumë, rreth 200 nxënës, prindërit, mësuesit tanë, komunitetin dhe  World Vision”, tregon Markela. Edhe bashkia dhe drejtoria arsimore e qytetit është me ta, për t’i mbështetur që kjo nismë të realizohet. Së bashku me dy shoqet e saj, secila kush të tregojë më shumë se për to kjo ishte hera e parë që shihnin kaq shumë njerëz të mobilizuar për të njëjtin qëllim.  Kjo me siguri do të mbahej mend jo vetëm në fshatin e vogël të Balldrenit, por në të gjithë qytetin e Lezhës.

Markela, Ermelinda dhe Dorina (anëtare te Qeverisë së Nxënësve) presin të shohin se sa njerez do të ketë në shfaqjen e filmit

“Fillimisht e ndamë këtë ide me mësuese Dritën dhe më pas me drejtorin e shkollës, z.Zef”, tregon Dorina. “Shumë shpejt gjetëm mbështetjen e të gjithëve dhe vendosëm që filmi që do të shfaqnim do të ishte filmi “Debatuesit e Mëdhenj”.  

Salla e kinemasë ka një kapacitet për 350 persona, e bileta ishte vetëm 100 lekë dhe sigurisht që kaq nuk do të mjaftonte për të rregulluar oborrin. Së bashku me World Vision dhe stafin pedagogjik ata menduan një fushatë për ngritjen e fondeve, ku shfaqja e filmit ishte vetëm një ndër hapat. Shuma që nevojitet është 600.000 lekë të rinj, nga të cilat 200 000 lekë kushton puna e ndërtuesve. Por komuniteti e ka marrë përsipër vullnetarisht këtë pjesë. Banorët, disa biznese dhe mësuesit e Balldrenit  do të punojnë për t’i rregulluar oborrin shkollës. Ndërkaq, fëmijët dhe mësuesit kanë mbledhur deri tani edhe 30 000 lekë kesh nga banorët dhe biznesi i zonës.

Nxënësit presin njerëzit e shumtë që kanë ardhur për të parë filmin  

“Me shumë dëshirë kam mbështetur këtë nismë sepse përcjell një mesazh shumë bashkëpunues. Afron nxënësit me shkollën, anëtarët e komunitetit me njëri tjetrin” – thotë mësuese Drita. “Pse jo të shërbejë kjo nismë për të thyer akullin, që gjithnjë e më shumë komuniteti të mobilizohet për të bërë më të mirë vendin ku ne të gjithë jetojmë” – vazhdon ajo.  

Gjatë shfaqjes së filmit, nuk mund të mos vije re kënaqësinë e nxënësve kur në sallë nuk kishte me vende bosh. Të përulur ndaj përkushtimit dhe vëmendjes kushtuar kësaj nisme nga të gjithë të pranishmit, ata premtojnë se nuk do të mbetet me kaq. “Shkolla jonë është një Qendër Komunitare, prej nesh pritet të jemi model, ndaj dhe ne duam të arrijmë më shumë”. – thotë Markela.

Ata kanë disa nisma të tjera në mëndje, një park për fëmijët e fshatit, rregullimin e urës mbi lumin Drin që të çon në shkollën Karl Gega, por për këto i duhet të ulen e t’i planifikojnë me kujdes. Sot, shijojnë frytet e punës së tyre dhe shpresojnë se do të jenë një shembull edhe për nxënësit e tjerë. “Sikurse ne e arritëm, edhe të tjerë mund t’ia dalin. Sot është oborri, nesër mund të jetë diçka më shumë. Ndoshta dikush është frymëzuar nga kjo që bëmë ne sot”, thotë e emocionuar Ermelinda, anëtare e Qeverisë së Nxënësve në këtë shkollë.

“E konsideronim Shkollën Qendër Komunitare dhe mobilizimin e komunitetit si disa nga sfidat më të mëdha, por sot e shohim se si sfidat mund të kthehen në sukses. Jam shumë i kënaqur dhe krenar për këtë” – u shpreh Edi Markaj, përfaqësues i World Vision.

***********************

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, World Vision po zbaton modelin e Shkollës Qendër Komunitare. Sot numërohen rreth 240 Shkolla Qendra Komunitare në të gjithë Shqipërinë, prej të cilave 50 janë shkolla të mbështetura e ku World Vision punon.  Ideja e shkollës miqësore, është ta kthejë atë në një vend ku shkolla, familja dhe komuniteti bashkëpunon për zhvillimin e potencialit të çdo nxënësi. Punohet me të rinjtë që ata të njohin dhe të mbajnë qëndrim për çështjet dhe problemet shoqërore të zonës ku jetojnë.