Nxënësit me aftësi të kufizuar, paraqitet manuali për mësuesit

Deklaratë shtypi

 

Nxënësit me aftësi të kufizuar, prezantohet manuali për mësuesit

 

Tiranë, 3 dhjetor 2014 – Mësuesit e Shqipërisë do të kenë më në fund në dorë një manual të thjeshtë që i ndihmon të punojnë me nxënësit me aftësi ndryshe, të përfshirë në kopshte dhe klasa të zakonshme. “Jam mes jush” u prezantua dje nga organizata ndërkombëtare World Vision dhe nga  Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Manuali është një përmbledhje ushtrimesh dhe këshillash që i tregojnë mësuesit si të përfshijë në klasë jo vetëm nxënësin me aftësi ndryshe, por edhe bashkëmoshatarët e tij. “ Keqardhja që  unë  shfaqja ndaj nxënësit tim me autizëm nuk i shërbente askujt dhe vetëm tani e kuptoj se shprehja e mëshirës ndaj tij ishte e gabuar. Teknikat e kalimit të nxënësit nga varësia në  pavarësi janë, sipas meje, përfitimi më i madh që ne mësuesit marrim nga ky manual”, tha Gjovalini, mësues në Fushë Mamurras.  Ai është një nga 339 arsimtarët që World Vision ta trajnuar tashmë për të përdorur manualin “Jam mes jush”.

“Ky manual është shumë i nevojshëm për sistemin shkollor në Shqipëri. Ai erdhi për shkak të nevojave të mësuesve tanë dhe do të jetë shumë i dobishëm për ta, gjatë orëve të mësimit në kopshte dhe shkolla,” – deklaroi zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj.  

Erjola, një fëmijë me aftësi të kufizuar, kthehet në shkollë

“Dy vjet më parë, një nga punonjësit tanë në Elbasan u përball me gjendjen e vështirë të një vajze 10-vjeçare, e quajtur Erjola. Përveç të tjerash, ajo vuante nga epilepsia dhe kishte aftësi të kufizuar në të ecur, ndaj shkonte në një shkollë speciale, në Elbasan. Në këtë kohë, World Vision kishte nisur organizimin e aktiviteteve të ndërgjegjësimit për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe gjyshi i saj erdhi te ne e shprehu dëshirën që të çonte Erjolën në një shkollë të zakonshme. Kjo ishte një dëshirë e mrekullueshme, por mësuesja e saj ngurronte sepse nuk dinte si të sillej në klasë me Erjolën. Nuk kishte një grup multi-disiplinior që ta ndihmonte dhe nxënësit e tjerë ende shfaqnin mënyra talljeje kur u flisnim për Erjolën”, – tha dje në konferencë drejtori kombëtar i World Vision, Rein Dekker.

-“Në këto dy vite, trajnuam mësuesit e kësaj shkolle sesi të punonin me fëmijët me aftësi të kufizuar dhe qeveria e nxënësve organizoi disa aktivitete për promovimin e edukimit gjithëpërfshirës.  Vetë nxënësit siguruan një karrocë me rrota për Erjolën, që gjyshi i saj të mos e mbante në krahë gjatë gjithë kohës. Sot Erjola shkon bashkë me të tjerët në shkollë dhe mbështetet nga shokët e shoqet e veta. Mësuesja i ka përgatitur një Plan Individual Edukimi dhe vajza po bën seanca fizioterapie”.

Brenda manualit, mësuesit do të gjejnë kapituj të veçantë me këshilla të thjeshta sesi të punojnë me fëmijë që kanë kufizime fizike dhe intelektuale si autizmi, kufizime në të folur, në të shkruar, në të lexuar e në aftësitë e komunikimit; aftësi të kufizuara në matematikë, hiperaktivitet dhe disleksi. Përveç këtyre kapitujve, manuali përmban histori të vërteta pune dhe tregon mënyrën e thjeshtë sesi, çdo mësues, mund të përgatisë Planin e Edukimit Individual për çdo nxënës me aftësi të kufizuar, sipas nevojave. 

580 mësues të tjerë do të trajnohen nga organizata World Vision gjatë vitit në vazhdim në Tiranë, Durrës, Dibër, Shkodër, Lezhë, Kurbin, Korçë, Elbasan, Librazhd. Manuali është cuar për akreditim në  Komisionin e Akreditimeve dhe Trajnimeve (KAT), pjesë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe shumë shpejt do të kthehet zyrtarisht në një nga mjetet e punës për gjithë mësuesit e Shqipërisë. 

Në qershor të vitit 2012, Kuvendi i Shqipërisë miratori ligjin 69 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” sipas të cilit shkollimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore të specializuara është përgjithësisht e përkohshme, kurse përfshirja e tyre në klasa të zakonshme bëhet parësore. 

Fund

World Vision është një nga organizatat më të mëdha humanitare, zhvillimi dhe advokimi që punon për fëmijët prej rreth 60 vitesh, në 100 vende të botës. Ajo punon në Kosovë që prej vitit 1998 (gjatë kohës së konfliktit me Serbinë) dhe në Shqipëri që prej vitit 1999 në edukim, mbrojtje fëmijësh, ndërtim paqeje dhe në çështjet e rinisë. 

 

Për më shumë të dhëna, ju lutem kontaktoni:

Elda Spaho Bleta

Communications Advocacy Officer

World Vision in Albania & Kosovo

Office Phone: +355 4 22 58 333/4| Mobile: + 355 68 5015224| Email:
elda_spaho@wvi.org |
| Main office address: : World Vision, “Asim Vokshi” Street, USLUGA
Complex, Tirana, Albania|
| Mailing address: P.O.Box 1725 Tirana, Albania|
  meero.worldvision.org