Një zë për të rinjtë: Rrugëtimi i Xhensuarës, si ndryshoi komunitetin dhe veten

Jetesa në periferi të Tiranës, në një komunitet ku shumica shihte interesin personal, pa patur as kohën dhe as mundësinë për t’u shqetësuar edhe për mirëqenien e të tjerëve, kishte ndikuar edhe botëkuptimin e Xhensuarës që në vogëlinë e saj. Në një botë ku mungesa e mundësive dhe pasiguria për të nesërmen shpesh të imponon të shohësh vetem drejt vetes, të mendosh apo ndikosh edhe në fuqizimin e tjetrit kthehet në një mision të vështirë. Por, kur ke krah mbështetjen dhe mjetet e duhura, ndryshimi është i mundur. Përfshirja e Xhensuarës në programet e World Vision Albania i dha asaj mundësinë për të parë përtej kufizimeve të komunitetit të saj. Ajo filloi të kuptonte se fuqizimi i individit dhe i komunitetit mund të shkojnë paralelisht, dhe kjo e ndryshoi rrënjësisht jetën e saj.

“Nëse dikur shihja vetem interesin tim, tani shoh interesin e gjithë komunitetit ku jetoj. Kjo pasi nuk mund të ketë individë të fuqizuar, në një komunitet të pafuqizuar,– shprehet e reja, e cila prej 8 vitesh është pjesë e grupeve Impact të World Vision Albania.

Ky rrugëtim e ka ndihmuar Xhensuarën të zhvillojë personalitetin e saj, duke e bërë më sociale, më aktive dhe më pranuese. Në një komunitet ku mentaliteti shpesh pengon vajzat të shprehin potencialin e tyre, Xhensuara nuk hezitoi të ngrinte zërin.

“Në komunitetin ku jetoj, në zonën e Bregut të Lumit, mendimet e vajzave shpesh nuk merren parasysh. Vajzat nuk lejohen të dalin pas një ore të caktuar dhe kanë shumë pak mundësi për t’u shprehur,” tregon ajo, ndërsa thekson se një nga pengesat më të mëdha për fuqizimin e të rinjve është hendeku mes brezave. Megjithatë, ajo e gjeti mundësinë për të thyer këtë barrierë përmes grupeve Impact.

Falë nismave të saj dhe të bashkëmoshatarëve të saj, sot më shumë vajza dhe djem përfshihen në aktivitete të ndryshme, ngrenë zërin për problematikat që i shqetësojnë, dhe angazhohen në jetën sociale të komuniteteve ku jetojnë.

Një ndër nismat më të veçanta që kemi marrë me grupet impakt, janë nismat ndërgjegjësuese për fuqizimin e vajzave. Këtë e kemi bërë përmes takimeve që kemi zhvilluar me prindërit, por edhe me vetë të rinjtë dhe të rejat e komunitetit. Këto nisma, më kanë bërë të kuptoj, se me mbështetjen e duhur, çdo person ka fuqinë të ndikojë pozitivisht tek të tjerët”, – tregon 18-vjeçarja, e cila beson se ndryshimi nis nga familja.

(Xhensuara, gjatë konsultimeve për ndryshimet në Ligjin për Rininë dhe Ligjin për Vullnetarizmin)

Dhe për këtë ka edhe një provë të fortë, pasi përfshirja e prindërve të saj në programet e prindërimit pozitiv të World Vision Albania, ka patur ndikim pozitiv në jetën e saj.

“Kjo ka ndikuar pozitivisht tek mamaja ime, duke e bërë atë më të përkushtuar për të ndërtuar një ambient të shëndetshëm në familje, ku secili anëtar gjen një mjedis ku mund të lulëzojë, ku shqetësimet e tij dëgjohen dhe arritjet festohen, – vijon rrëfimin e saj Xhensuara.

Sot Xhensuara është një “changemaker”. Ajo jo vetëm ka ndryshuar veten, transformuar komunitetin, por është një zë për të rinjtë e gjithë Shqipërisë. Ndërsa e nisi rrugëtimin me World Vision me programet e mbrojtjes së fëmijëve, Xhensuara është përfshirë edhe në Konsultimet për Strategjinë e Rinisë 2022-2029, dhe së fundmi në diskutimet për Ligjin për Rininë dhe Ligjin për Vullnetarizmin, në diskutimet e zhvilluara në Bashkinë e Tiranës.

Gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, një nga propozimet e mia ka qenë krijimi i hapësirave të dedikuara për të rinjtë, ku ata mund të takohen lirisht, pa pasur nevojë për leje apo planifikim.  Gjithashtu kam propozuar që të bëhet njohja e vullnetarizmit si përvoje pune,” – tregon Xhensuara, e cila thekson se është e rëndësishme që të rinjtë të vendosin vetë për veten e tyre, sepse askush tjetër nuk i kupton me mirë nevojat dhe sfidat e tyre, sesa vetë ata.

World Vision Albania ka qenë aktor kyç i Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, duke mbështetur që në krye të herës konsultimet me të rinjtë për rishikimin e ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë” dhe ligjin nr. 45/2016 “Për Vullnetarizmin”.

Pjesëmarrja e Xhensuarës dhe e bashkëmoshatarëve të saj në këto konsultime ka sjellë ndryshime ligjore të rëndësishme që i japin rinisë mundësi më të mëdha për të kontribuar dhe për t’u shprehur. Ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Rininë dhe Ligjin për Vullnetarizmin, miratimi i të cilave u njoftua në një konference për mediat në Janar 2025 nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, janë një rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit të të rinjve nga e gjithë Shqipëria, dhe veçanërisht të grupeve rinore të World Vision Albania.

Kjo nuk është vetëm një fitore e Xhensuarës dhe bashkëmoshatarëve të saj të grupeve Impakt, por një arritje e rëndësishme në advokaci e të gjithë të rinjve të Shqipërisë.

Për të rinjtë që jetojnë në kushte të ngjashme me të, ajo ka një mesazh të qartë: “Angazhimi dhe besimi në vetvete janë çelësi për ndryshimin. Ne mund të ndikojmë dhe të sjellim ndryshime të mëdha, nëse e kemi mbështetjen dhe mundësinë për të folur dhe vepruar.”

Ndërsa ka nisur një rrugëtim të ri në jetën e saj, pasi studion për inxhinieri informatike, Xhensuara thotë se “zemra e saj do të vazhdojë të rrahë për të drejtat e fëmijëve”, ndërsa premton se do të vijojë të jetë një aktiviste për të drejtat e tyre.

(Xhensuara, gjatë festivalit të Rinisë)