Dhjetëra fëmijë, nga zona rurale të Shqipërisë ishin sot kryefjala e kërkesës për të ndaluar abuzimin ndaj të gjithë fëmijëve. Ishin vetë ata që sollën në vëmendje, nevojën për t’u ndjerë të mbrojtur. “Ne dëshirojmë që dhuna mos ekzistojë më, që fëmijët mos të abuzohen dhe lëndohen. Dëshirojmë që zëri ynë të dëgjohet, që çdo rast abuzimi i fëmijëve të raportohet dhe abuzuesi të dënohet”, – tha Paulina 16 vjeç nga Elbasani.
Rreth 62 % e fëmijëve kanë përjetuar një herë në jetën e tyre të paktën një formë të dhunës psikologjike, ndërsa 49 % një formë të dhunës fizike[1]. Për t’i mbrojtur ata nga të gjitha format e abuzimit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe partnerët, ndër to edhe World Vision prezantoi planin kombëtar të mobilizimit kundër dhunës, neglizhimit, abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.
Nën moton #unembrojfemijet, ajo kërkoi angazhimin e të gjithë shoqërisë shqiptare, që me veprime të thjeshta dhe konkrete të mund t’i sigurojë fëmijëve një mjedis ku ata të ndihen të sigurt dhe të rrethuar me dashuri.
“Duam të bëjmë gjëra të thjeshta. Një bisedë më qytetarët, familjarët, mësuesit, mjekët, punonjësit social, edukatorët, me të gjithë ata që janë në kontakt me fëmijët në jetën e përditshme. Duam t’ju tregojmë te gjithëve si veprohet nëse një fëmijë abuzohet. Duam të jemi tek çdo familje, që të gjithë të dinë kujt ti drejtohen për çdo rast abuzimi” – tha Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë , z.Blendi Klosi.
Duke nisur nga 1 Marsi, ky debat mbetet i hapur deri në Qershor, duke mbledhur rreth vetes të gjithë ata që punojnë për mirëqenien e fëmijëve. “Një rrjet për mbrojtjen e fëmijëve ka brenda shumë fije. Shteti luan një rol të padiskutueshëm por shoqëria luan një rol të pazëvendësueshëm”, – u shpreh Toni Gogu, drejtor kombëtar i World Vision. “Është e vërtetë se duhet të fillojmë me gjëra të thjeshta, një ndër to është të ruajmë ato që kemi ndërtuar së bashku në mekanizmin e mbrojtjes për vite të tëra”, shtoi ai.
Prej 16 vitesh, World Vison punon për të ngritur zërin dhe për të përmirësuar jetën e fëmijëve, më së shumti të atyre në fshatra dhe lagjet periferike të qyteteve. Ende nevojitet një punë e përditshme me komunitetet dhe të gjithë personat që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve për të patur një sistem plotësisht funksional, i cili t’i mbrojë fëmijët nga çdo formë abuzimi.
Pas çeljes së planit, fëmijët të ardhur nga Lezha, Elbasani dhe Shkodra, ju drejtuan zyrave të Bashkisë për të çuar dhe atje zërin e tyre, se mbi të gjitha ky plan është për ta dhe se kanë nevojë që të gjithë të mobilizohen e të punojnë për një të ardhme më të mirë.
Përgjatë rrugës për në Bashkinë e Tiranës, ata ndaluan kalimtarët dhe u dhanë atyre kartolina me mesazhe për mbrojtjen e fëmijëve. Të vendosur dhe entuziastë se gjërat mund të ndryshojnë, duan t’i japin jehonë zërit të tyre jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.
********************
Për të mësuar më shumë rreth planit mobilizues dhe kalendarit të aktiviteteve që do të ndodhin përgjatë 3 muajve klikoni broshurën informuese #UneMbrojFemijet:
[1] Burimi: Raport kombëtar mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri 2013 – 2014