Një urim për Krishtlindje: “Unë ju dua shumë të gjithëve!”

Halit Gjeleshi (2)

Krishtlindja na bashkon! Kjo festë është arsyeja që na mbledh të gjithëve në një tavolinë ose na bën të shkruajmë kartolina urimi e falenderimi.

Haliti është 8-vjeç e si çdo fëmijë ka filluar të ndjejë aromën e festave të fundvitit. I gëzohet Krishtlindjes e në këto ditë vendosi t’i shkruajë një letër miqve të tij moshatarë koreanë të cilët mësojnë në një shkollë fillore në Kore. Ai është pjesë e projektit të letërkëmbimit të organizatës World Vision që prej majit të 2016-ës, kështu që në ditë festash ka një mesazh shumë të rëndësishëm për miqtë që e kanë mbështetur.

Mos harroni ta doni shumë njëri-tjetrin : “Unë ju dua shumë të gjithëve!”

Ka shumë ëndrra për të ardhmen e tij. Dëshiron të bëhet arkitekt, megjithatë momentalisht i gëzohet notës së mirë që ka marrë në lëndën e gjuhës. Miqve koreanë ua tha të parëve, tani do nxitojë të shkojë në shtëpi sepse me padurim pret që t’i bëjë prindërit e tij krenarë.

“Të dashur miqtë e mi Korean,

Unë jam shumë i lumtur që kam kaq shumë miq që më duan dhe më mbështesin. Unë i lexova të gjitha letrat tuaja. Jam shumë i gëzuar sepse të gjithë më keni thënë fjalë shumë të mira. Unë jam 8-vjeç dhe jam në klasën e tretë.

Unë kam një ëndërr të madhe për të ardhmen dhe shpresoj që një ditë të më realizohet. Unë dua të bëhëm arkitekt, sepse dua të bëj ndërtime të bukura.

Unë sot mora një not të mirë në gjuhë. Ju jeni të parët që e dini, kur të shkoj në shtëpi do ua tregoj prindërve.

Tani po vijnë Krishtlindjet dhe Vitit i Ri. Unë dua t’ju uroj që të kaloni festa të bukura dhe ta doni shumë njëri tjetrin.

Mos harroni: “Unë ju dua shumë të gjithëve!”

Faleminderit për këshillat që më keni dhënë! Pres me padurim që të më shkruani përsëri!

Mirupafshim!”


Projekti i sponsorizimit ose i njohur ndryshe edhe si projekti i letërkëmbimit mundëson që miq nga vende të ndryshme të zhvilluara të mbështesin zbatimin e programeve tona (edukim, mbrojtje e fëmijëve dhe rini) për mirëqenien e fëmijëve dhe komuniteteve më në nevojë. Këta miq janë në radhë të parë partnerë që kanë për zemër të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve në nevojë. Fëmijët që përfshihen në këtë projekt kanë mundësi të shkëmbejnë letra me miqtë e tyre jashtë vendit.