Një trëndafil kockë i fortë

273036620_1727929844048821_3460584239780164489_n

Ajo është nënë, gjyshe, dhe siç i thonë të gjithë ata që e njohin, është një ‘kockë e fortë’. Vështirësitë e jetës, të fëmijëve dhe punët e fshatit e kanë lodhur, por edhe e kanë forcuar më shumë nënë Trëndafilen.

Ajo jeton me bashkëshortin, djalin, nusen dhe nipin, Darion e vogël 7 vjeçar që e kanë dritën e shtëpisë. Burri i Trëndafiles është në pension dhe i pamundur të punojë e ndërsa djali i saj detyrohet shpesh të emigrojë për të siguruar të ardhura për familjen. Siç ndodh në pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në fshatrat e Dibrës gratë e shtëpisë kujdesen për fëmijët e familjarët, bëjnë punë në bujqësi dhe blegtori, kujdesen për të ruajtur marrëdhëniet e mira me komshinjtë e faresfisin dhe Trëndafilja i bën të gjitha këto, bashkë me nusen e saj.

“Një ditë normale është që zgjohemi në mëngjes, ose unë ose nusja bëjmë gati Darion për në shkollë, i përgatisim ushqimin. Pastaj në shtëpi merremi me pastrimin, gatimin, bujqësinë e punët e fshatit, që na marrin pjesën më të madhe të ditës. Ku e ku të gjejmë ndonjë mundësi që të nxjerrim sa më shumë prodhim e të fitojmë ndonjë gjë për familjen.”- e nis rrëfimin e saj Trëndafilja.

Sipas një studimi të zhvilluar nga World Vision në maj të vitit 2021 në lidhje me marrëdhënien mes faktorëve socio-demografikë dhe faktorëve fuqizues të cilët ndikojnë në rezultatet e mirëqënies së grave dhe fëmijëve evidentohet se ka një ndarje të pabarabartë në angazhimin brenda shtëpisë. Gratë bëjnë në më të shumtën e rasteve më shumë punë të papaguar dhe 56 % prej tyre raportuan se po e sforcojnë veten duke pushuar më pak se 10 orë në ditë duke përfshirë këtu edhe orët e gjumit.

“Se gratë në zonën tonë s’kanë mundësi të bëjnë punë jashtë shtëpisë e të paguhen, njëherë se kështu është mentaliteti këtej, pastaj nuk është se ka edhe mundësi punësimi, s’ka ndonjë fabrikë a vend pune këtu ku ne jetojmë,”- na tregon nënë Trëndafilja.

Sipas Shërbimit Social Shtetëror Rajonal, njësia administrative në të cilën Trëndafilja jeton, ka një popullsi prej 2141 familjesh dhe nga këto 706 familje trajtohen me ndihmë ekonomike. Fshati i saj është rreth 20 minuta larg me transport publik nga qyteti i Peshkopisë dhe sipas Zyrës së Punës mundësitë e punësimit për gratë janë shumë të pakta, pasi kërkesat për punë kryesisht janë për punëtorë në ndërtim. Mundësi të tjera për punësim ku gratë mund të përfshihen janë në një biznes fasoneri, në një tjetër njësi administrative 30 minuta larg Peshkopisë, ose në Llixhat e Peshkopisë ku bizneset private kryesisht kërkojnë punëtorë që punojnë me orare të zgjatura. Kjo për gratë e zonës së Trëndafiles do të thotë që nëse ata zgjedhin të punojnë, një pjesë e rrogës së tyre duhet të shkojë për transport pasi duhet të udhëtojnë 1 orë deri në vendin e punës duke marrë përsipër edhe riskun që në kthim mund të mos kenë transport.

Po ashtu, shpesh herë, gratë që mund të gjejnë ndonjë mundësi punësimi, nuk punojnë edhe për shkak të mentalitetit të zonës ku burri shihet si siguruesi i të ardhurave në familje. Në zona të tilla duket sikur janë ndarë detyrat: burri përtej derës së shtëpisë dhe gruaja brenda derës së shtëpisë.

 

Nga i njëjti studim i World Vision, në nivel kombëtar, për Shqipërinë, gratë raportojnë se kontribuesi kryesor për sigurimin e të ardhurave të familjes është burri (81 %). Këtë pikëpamje e konfirmon dhe vetë Trëndafilja. Ajo nuk mban mend që në rini nëse ajo dhe shoqet e saj të kenë punuar punë me pagesë jashtë shtëpisë, as në vitet më pas. Ajo shumë rrallë kujton ndonjë rast të nuseve dhe vajzave që punonin e çonin rrogë në shtëpi. Ishin burrat që punonin në ndërtim, emigronin, por ama gjithnjë kanë qenë burrat që i sillnin familjes të ardhura.

“Në familjen tonë punon djali, herë në bujqësi, por shkon dhe në emigracion se nuk na mjaftojnë të ardhurat nga bujqësia. Unë e nusja punojmë gjithë ditën në shtëpi, po s’na paguan kush,”- thotë Trëndafilja duke u përpjekur ta bëjë bisedën miqësore me dozat e saj të shakasë.

Ajo është përpjekur që të bëjë më shumë se gjërat që mentaliteti i zonës iu përcakton grave. Me iniciativën e saj, bashkë me nusen, ato kanë marrë pjesë rregullisht në grupin e grave fermere në fshatin e tyre, ku kanë pasur mundësi të rrisin njohuritë në fusha të ndryshme për të nxitur bashkëpunimin në familje për të siguruar një jetesë më të mirë për familjen.

“Në takimet me grupin e grave fermere jemi ndjerë shumë mirë. Pikë së pari, jemi hap si njërëz se nuk donim të qëndronim mbyllur vetëm brenda mureve të shtëpisë. Takimet kanë qenë shumë të mira. Ne vërtetë jetojmë në fshat e merremi me bujqësi, po kemi mësuar shumë gjëra që s’i dinim. Kemi mësuar nga njëri- tjetri, madje vajza dhe nusja kanë dalë dhe jashtë qytetit për të mësuar nga eksperienca e të tjerëve,”- tregon Trëndafilja.

Grupet e grave fermere janë krijuar në kuadër të projektit të World Vision “Fuqizimi Ekonomik i Familjeve” ku fokusi është që fermerët të rrisin aftësitë e tyre, të nxiten të marrin nisma për aktivitetet bujqësore/blegtorale dhe të mbështeten me inpute dhe pajisje për zbatimin e këtyre nismave. Kjo kontribuon në përmiresimin e mirëqënies së familjeve dhe fëmijëve nga rritja e të ardhurave që vijnë nga aktiviteti bujqësor i tyre.

“Para dy vitesh ne jemi mbështetur me pula nga organizata, e zgjodha vetë si gjë, pasi na pyetën për mbështetjen që donim. Që atëherë jam kujdesur vazhdimisht dhe vezët që kanë bërë i kemi shitur dhe me lekët kam blerë dhe disa pula të tjera të cilat i kam shtuar dhe me të ardhurat e përftuara i kam blerë rrobat nipit për shkollë . Ndërsa, këtë vit ne jemi mbështetur me arka që na kanë ndihmuar të ruajmë më mirë prodhimet e vjeshtës në mënyrë që mos të prishen derisa ne ti shesim në treg. Me pak fjalë unë dhe nusja, vërtetë nuk kemi shkuar të punojmë e të sjellim rrogë në shpi, por më këtë mbështetjen që kemi marrë, kemi kontribuar në ekonominë e familjes”- na thotë e kënaqur Trëndafilja.

World Vision gjatë 2 viteve të fundit në Dibër nëpërmjet projektit të “Fuqizimit Ekonomik të Familjeve” ka mbështetur 520 gra fermere me trajnime, inpute bujqësore/blegtorale dhe pajisje për përmirësimin dhe rritjen e aktivitetit bujqësor të familjes. Konkretisht mbështetja ka konsistuar ne fidanë lajthie, arre, gështenje, kumbulle, molle, plehra kimik, pula, koshere bletesh, korrëse bari dhe spërkatëse pemësh. Në mënyrë të qëllimshme ne kemi targetuar gratë për t’u përfshirë në projekt, për t’i ardhur në ndihmë fuqizimit të rolit të gruas për gjenerimin e të ardhurave në familje dhe fuqizimin e saj në shoqëri.