“Ishte dhjetor kur u ktheva nga Gjermania. Mendoja ku do të shkoja, shtëpi nuk kisha. Kthimi ishte kaotik, s’dija ku të veja. Fillimisht shkova për pak ditë tek disa të afërm në Tiranë.Pastaj, për fatin tim të mirë rashë në kontakt me ju dhe ju jam mirënjohës që më ndihmuat dhe më gjetët një shtëpi ku të rrija. Nëse ju nuk do të më ndihmonit me shumë mundësi do isha rrugëve edhe sot. World Vision u bë një i afërm për mua, më dhatë dorën në një kohë të vështirë për jetën time,’ – kështu shprehet Fatmiri nga Vlora.
Sipas studimit më të fundit 98.8 % e të rikthyerve në vendin tonë pas rikthimit nga emigracioni kanë nevojë për një strehë, një shtëpi ku të strehohen me familjen. Kjo është një nga nevojat kryesore të të rikthyerve në 13 bashki të vendit, pjesë të projektit RE-IN-VEST. I tillë është dhe rasti i Fatmirit nga Vlora. Pa shtëpi, pa mbështetje dhe në kushte të vështira pas rikthimit nga Gjermania projekti I ka siguruar një shtëpi me qera për t’u strehuar me gruan e tij.
Fatmiri është 51 vjeç, ka dy fëmijë të cilët për momentin i ka jashtë Shqipërisë, pasi dhe ata kanë emigruar për një jetë më të mirë dhe nuk janë kthyer ende. Ai së bashku me bashkëshorten për shkak të refuzimit të azilit janë rikthyer në Shqipëri në Dhjetor të vitit 2019. Situata e tyre pas rikthimit ka qënë e vështirë e me shumë përipeci. Nevoja e tyre kryesore ishte një shtëpi ku të fusnin kokën.
“Kur kam takuar Fatmirin për herë të parë pasi rashë në kontakt me të si një familje e rikthyer në bashkinë e Vlorës, mbaj mend që gjëja e parë që më ka kërkuar ishte: “Më gjej një strehë sepse jam jashtë dhe nuk kam ku të strehoem me gruan”. Dy ditë me vonë arrita t’i gjej një shtëpi me qera në Vlorë dhe projekti RE-IN-VEST e mbështeti me një bonus qeraje prej 3 muajsh. Kjo ishte ndihma e parë që i dhamë Fatmirit në kushtet në të cilat ndodhej. Por ndihma për të vijon ende deri më sot,”- thotë Klara, koordinatorja e projektit për bashkinë Vlorë.
Duke marrë parasysh kushtet e vështira të jetesës, situatën e papunësisë në familjn e tij por dhe problemet shëndetësorë familja është ndihmuar nga projekti RE-IN-VEST me paketa ushqimore dhe higjienike, si dhe me ilaçe, pasi Fatmiri vuan nga probleme me diabetin dhe me presionin e gjakut, dhe të dy bashkë me të shoqen kanë probleme me shikimin. Falë ndihmës sonë, ata janë regjistruar për të përfituar asistencën sociale, dhe gjithashtu janë regjistruar në Zyrën e Punës. Fatmirit së fundmi i është ofruar dhe një kurs për punonjës shërbimi dhe tani që e ka përfunduar me sukses është në kërkim të një pune.
“Pandemia e bëri më të vështirë punësimin tim dhe World Vision ka qenë ndihma ime e vetme me ushqime dhe me qeranë e shtëpisë. Unë bëra një trajnim për punonjës shërbimi sigurie dhe tani po kërkoj punë,”-, thotë Fatmiri, shpresëdhënës se do arrij të punësohet për të mbajtur familjen.
World Vision përmes projektit RE-IN-VEST të financuar nga Qeveria Gjermane dhe implementuar nga GIZ Albania përmes programit “Migracion për Zhvillim”, i vjen në ndihmë familjeve të rikthyera nga emigracioni në 13 bashki të vendit. Ky projekt po zhvillohet në partneritet me SHKEJ dhe Diakonia Agapes me qëllim riintegrimin socio-ekonomik të familjeve të rikthyera nga emigracioni.