Në një cep të dhomës gjendet një kovatë me pjesët e mbetura të misrit pa kokrra. Tymi i koçanëve të djegur ka mbushur të gjithë dhomën, sytë të djegin dhe muret janë nxirë. Rosela dhe Seldi, dy fëmijët e mëdhenj të familjes Cibaku, ndërtojnë në dysheme shtëpinë e tyre të parë, siç e kanë parë në ëndërr, me “lodrat” që gjenden në kovatë e që menjëherë pas lojës së tyre do të kenë fatin e gjithë koçanëve të tjerë. E ndërkohë që babai dhe vajza më e vogël ngrohen pranë sobës, Naxhia gatuan fasulet për të ngrënë darkën e natës së fundit në këtë dhomëz e drekën e ditës së parë në shtëpinë e re.
Sepse ata e kanë tashmë një shtëpi nga e cila askush nuk mund t’i nxjerrë jashtë. Fëmijët nuk do të sëmuren më aq shpesh nga dimri i acartë që bën në Peshkopi. Kurse prindërit e 3 fëmijëve do të kenë një hall më pak për t’u shqetësuar.
Ishin disa nga të rinjtë e Dibrës që trokitën derë më derë me dëshirën që edhe ata fëmijë të kishin strehëzën e tyre. Ishin të shumta arsyet që i shtynë të ndërmerrnin këtë nismë, disa prej të cilave na i tregon Sonja Alushi: “Kur morëm vesh se në çfarë gjendjeje ndodhej familja, me të vërtetë na erdhi shumë keq. Vendosëm veten në vendin e tyre, si ishte të mos kishim një vend ku të ktheheshim çdo ditë, ku të flinim apo të mësonim. Kjo na tronditi! Patëm ide të ndryshme, se si mund të jepnim kontributin tonë.”
Vajzat janë pjesë e të rinjve të grupit Impakt të World Vision në Dibër. Përveç ndihmës së vazhdueshme të organizatës që në momentet e para, ata shkuan tek disa biznese për të siguruar një pjesë të bazës materiale për ndërtimin e shtëpisë, kurse bashkisë i kërkuan skuadrën e punëtorëve.
Të rinjtë punuan disa muaj për të folur e për t’i bindur të bashkëpunonin, por sipas Vekisa Vranicit, nuk ishte aspak e lehtë: “Ne jemi mësuar që zëri ynë nuk merret shumë parasysh. Kemi qeveritarët… Madje ata na kanë thënë… mos u merr ti me këtë punë… Dhe ishte hera e parë që ne arritëm të flisnim… Edhe në grupet tona shoqërore po na jepnin shtysë… jepini, vazhdoni! Dhe duke ngritur zërin u bëmë pjesë e një projekti kaq të bukur. Arritëm të ndërtonim një shtëpi dhe t’i falnim lumturi, ngrohtësi, dashuri familjes Cibaku.”
Në natën e fundit, para se të futeshin në shtëpinë e re, burrë e grua kujtonin luftën e përditshme për t’iu siguruar fëmijëve së paku bukën thatë dhe ilaçet.
“Jeta ime ka qenë e vështirë, duke filluar nga vajza e parë që lindi e sëmurë. S’kemi pasur kushte si gjithë të tjerët. Kemi qenë ngushtë, ftohtë…Kemi jetuar edhe jashtë me plasmas. Këto muajt e fundit kemi jetuar në një dhomë, në shtëpinë e kunatit. Fëmijët flenë në divan, kurse unë e burri në tokë” – rrëfen Naxhia.
Me dëshirën dhe padurimin për t’u futur në shtëpinë e re, ajo kishte bërë gati gjithçka. Kishte larë rrobat, kishte mbledhur ato pak enë e mbi divan kishte sistemuar të gjithë librat e fëmijëve. Janë të dy pa punë, por bashkëshorti i saj rreket të tregojë se nuk është i papunë se nuk do, por se në fshat nuk gjen dot një punë të përditshme. Megjithatë ata kanë shpresë se një ditë fëmijët e tyre do mbarojnë shkollën e nuk do të vuajnë më.
“Shtëpi e re…jetë e re!”- thotë e lumtur Naxhia. https://www.youtube.com/watch?v=KTCEUh2zwSk
Historia e familjes Cibaku ishte vetëm një prej shumë historive që të rinjtë ndanë para qindra bashkëmoshatarëve të tyre në ditën e dytë të Festivalit të Rinisë për Drejtësinë Sociale të organizuar nga World Vision.
Ata ngritën zërin për disa nga problemet që i shqetësojnë çdo ditë. Kur mbarojnë studimet kanë dëshirën e madhe për të punuar, por përballen me papunësinë; emigrimin, varfërinë, dhunën në familje, por edhe punën e fëmijëve.
Festivalin e Rinisë e çeli në datën 4 programi social i World Vision, “Tungjatjeta…jetë” me ekspozitën “Jetë”.