Mirjani 12 vjeçari nga Kurbinin dhe vëllai i tij, gjatë kohës së izolimit nuk mundën të ndiqnin mësimin online. Ata nuk kishin një telefon gjatë kohës që duhet të bënin detyrat apo të ndiqnin mësimin paralelisht me shokët e klasës. Babai i tyre e merrte telefonin me vete paradite kur ishte në punë, e ndërsa telefoni i nënës së tyre nuk mundëson shërbim interneti.
“Prindërit e mi nuk kishin mundësinë të na siguronin një telefon, sespe ne jemi 4 persona në familje: babi, mami, unë dhe vëllai Renisi, dhe në shtëpi punon vetëm babi. Por kur kompania nuk siguron lëndë të parë babi nuk punon dhe ndaj kemi vështirësi ekonomike në familje. Mami është operuar tre herë dhe nuk mund të bëje punë të vështira. Me këtë tablet, ne cilin ndjekim mësim online dhe aktivitetet me familjen”- thotë Mirjani.
Duke parë vështirësinë ekonomike të familjes, mos ndjekjen e mësimit nga fëmijët dhe vështirësinë për të ndjekur trajnimet online nga pamundësia e organizimit të takimeve fizike në grup World Vision u dhuroj atyre një tablet, i cili bëri të mundur ndjekjen pa ndërprerje të trajnimeve mbi familjen, njëkohësisht iu erdhi në ndihmë dhe dy djemve që të ndiqnin mësimet online.
“Kur mami më tregoi se World Vision do të na pajiste me tablet për të ndjekur mësimin online dhe trajnimin mbi Prindërimin Pozitiv, unë jam hedhur nga gëzimi dhe e përqafova mamin fort. Edhe unë jam shumë i lumtur që marr pjesë në aktivitetet e familjes online, – shton Mirjani.
12 vjeçari ka qenë pjesë e aktiviteteve që World Vision organizonte përpara pandemisë me grupet e fëmijëve në shkollën e tij. Sot janë pikërisht ato aktivitete që atij i mungojnë më së shumti pasi prej tyre ai ka mësuar sesi të mbrojë të drejtat e tij, të jetojë pa frikë e dhunë dhe të jetë i lumtur me njerëzit që e rrethojnë.
“Mua më mungojnë shumë aktivitetet me shokët dhe shoqet, sepse janë argëtuese për ne fëmijët. Pandemia dhe izolimi në fakt me kanë mërzitur dhe shtuar edhe frikën; frikë se mos më sëmuren prindërit dhe si do duket e ardhmja jonë. Por unë tani kam një tablet dhe ndjek aktivitetet online bashkë me familjen, bëj dhe detyrat dhe ndjek mësimin rregullisht,”- thotë i lumtur Mirjani 12 vjeçar.
Nga trajnimet kam mësuar shumë dhe tani sigurohem që kur të mërzitem të mos e godas vëllain e madh, tregon ai.
Familja e Mirjanit është pjesë e grupit të familjeve të zonës që prej 2 vitesh marrin pjesë rregullisht në trajnimet mbi Prindërimin Pozitiv të organizuara nga World Vision.
“Jemi disa familje bashkë të zonës që vjet ndoqëm trajnimin “Festojmë Familjen” ku kemi mësuar shumë gjëra të reja. Si të kujdesemi për familjen, mbi gjuhët e dashurisë, ca menyra të thjeshta sesi mund të përcjellim dashuri në familje, etj. Ndërsa sivjet kemi filluar me temat mbi Prindërimin Pozitiv, të cilat më kanë ndihmuar të përmirësoj sjelljen me fëmijët e mi,”- thotë Ramija, nëna e Mirjanit.
Më përpara ajo e kishte të vështirë të shprehte fjalë pozitive ndaj bashkëshortit apo fëmijëve dhe nuk arrinte t’i inkurajonte ata dhe shpesh kjo shkaktonte debat në familje. Sot, ndryshimi në familjen e tyre është i dukshëm. Ramija është bërë një nëne qetë dhe e dashur dhe marrëdhënia me fëmijët dhe bashkëshortin është e stabilizuar dhe kanë harmoni mes njëri-tjetrit. Ata kanë mësuar si t’i zgjidhin gjërat me qetësi dhe kjo ka ndryshuar përditshmërinë e tyre.