“Një fjalë e mirë e bën me krahë…”

 “Mezi pres orën të vij në shkollë. Lodhem pak se eci më shumë së gjysmë ore në këmbë për të arritur mësimin, por sapo hyj përqafoj mësuese Fiqen dhe pastaj ulem te banka.” – thotë Rudina.

Ajo është në klasën e shtatë. Mësuesja e saj kujdestare ka shumë për të treguar për Rudin, siç i thërrasin të gjithë me përkëdheli: “ E vogla ka vështirësi në të folur dhe zhvillim intelektual të vonuar, por është shumë e dashur. Kupton pothuajse gjithçka e është shumë e ndjeshme… veçanërisht nëse dëgjon një fjalë jo të mirë…..ama ju betohem se një fjalë e mirë e bën me krahë!

Kur ka ardhur në klasë të 6-të nuk i dallonte të gjitha shkronjat, shkruante me gabime e nuk ndante fjalët nga njëra tjetra. Duke parë aftësitë që Rudina kishte u hartua një Plan Edukativ Individual e këto probleme filluan të zvogëlohen.

Kohët e fundit shkon edhe në Qendrën Komunitare në Librazhd për të bërë logopedi dhe fizioterapi. Nëse më parë nuk shqiptonte dot një  fjali të plotë nga fillimi në fund, tani ka shumë raste që arrin të artikulojë fjali të shkurtra, por të plota.

Edhe prindërit janë të kënaqur se edhe në shtëpi i  ka reflektuar ndryshimet.”-  rrëfen mësuesja.

Rudina është ulur në bankë me shoqen e saj të vegjëlisë. “Klevisa është si një gur i çmuar për të.E ndihmon të ecë përpara… Sa herë nuk kupton diçka gjatë orës mësimore, e ka më të lehtë të pyesë atë me shenja se sa ne. Është çelësi i saj ku gjen çdo përgjigje.” – thotë duke buzëqeshur mësuesja e matematikës, Fatime Kala.