Për 4 javë, nga ora 8 deri në 17:00, në hollin e Pallatit të Kulturës do të gjeni ekspozitën “Reporteri” me fotoreportazhet e të rinjve anekënd Shqipërisë. Ata sjellin në vëmendjen e gjithësecilit prej nesh problematikat që hasin në komunitetet ku jetojnë. Reporterët e rinj ngrenë zërin për të njejtin shqetësim me të cilin përballen, pavarësisht vendndodhjes gjeografike të shtëpive apo shkollave të tyre: Dhuna ndaj fëmijëve!
70% e fëmijëve raportojnë se kanë përjetuar të paktën një herë një formë dhune gjatë vitit të fundit.
Ata besojnë se një njeri i vetëm nuk e sjell dot ndryshimin, por Duhet një Botë e Tërë Për t’i dhënë Fund Dhunës Ndaj Fëmijëve. Përmes kësaj ekspozite ata i bashkohen fushatës globale të World Vision që ndryshimi të nisë nga ata vetë.
“Ka njerëz që dhunën e shohin si një gjë që që s’ka të bëjë me ta. Më lejoni t’ju them se dhuna herët a vonë na prek, në mos na ka prekur të gjithëve. Ne nuk mund të rrimë pa folur e të kthejmë kokën në anën tjetër kur shohim që fëmijët keqtrajtohen dhe shfrytëzohen. Nuk mund të jetojmë aty ku jetojmë: në lagje, në pallat, në fshat, të dëshmojmë dhunën dhe të heshtim. Dhuna, keqtrajtimi, mospërfillja lë gjurmë në jetën e fëmijëve. Për këtë arsye, World Vision ka marrë përkushtimin që të ofrojë ndihmë për fëmijët e dhunuar dhe të shfrytëzuar,” – shprehet Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha kombëtare e World Vision në Shqipëri dhe Kosovë.
Ekspozita u inagurua në Tiranë, në korrik të 2019-ës. Gazetari i mirënjohur, Fatos Baxhaku ishte kuratori dhe një ndër trajnuesit e reporterëve të rinj. Së bashku me gazetarët, Armand Mero dhe Elira Çanga, Baxhaku i mësoi të rinjve ABC-në e gazetarisë së vërtetë, ndaj në parathënien e ekspozitës nënvijëzoi: “…nxënësit vullnetarë të World Vision të projektit “Reporteri” nga Dibra, Tirana, Elbasani, Durrësi, Kurbini, Librazhdi, Korça, Lezha, Shkodra e Kosova, të cilët në këtë fotoekspozitë na përçojnë mendimin e tyre: mirësia ndahet me të tjerët, asgjë nuk mund ta ndalë shpresën për të qenë më mirë nëse mbështesim supet te njëri-tjetri. Vetëm kështu dhuna, babëzia, fodullëku, egoizmi, urrejtja, skërmitja e dhëmbëve, të gjitha këto mund të shndërrohen vetëm në figura letrare nëpër tekstet e letërsisë dhe jo si ngjarje të përditëshme sikurse janë sot.
Fëmijë e adoleshentë me këtë ekspozitë kanë gjetur mjetin e tyre të thjeshtë: fotoreportazhin…”.
Çfarë është Reporteri?
…është blogu ku të rinj nga Shqipëria dhe Kosova shkruajnë mbi problematika të ndryshme sociale që i shqetësojnë në zonat ku ata jetojnë…
Përmes fotoreportazheve, të rinjtë e projektit “Reporteri” nga 10 zona të ndryshme të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë sjellë në këtë ekspozitë disa histori reale, që iu kanë ndodhur vetë të rinjve ose miqve të tyre.
Për të ruajtur identitetin e miqve të tyre që kanë përjetuar këto situata të vështira, reporterët e rinj kanë ndryshuar emrat e personazheve; si dhe kanë inskenuar situatat për t’i fotografuar me shokë e shoqe të tjera.
#MOS – Dhuna na tjetërson #ITAW #ItTakesAWorld #Jetënëplotësipërçdofëmijë #socialinclusion #muajiantitrafik