Ngjarjet në këtë vend të vogël nuk kanë fund. Edhe pse një fshat i thjeshtë me pak banorë, ata bëjnë gjithçka për njëri-tjetrin. Ndodhemi në një nga fshatrat e Elbasanit. Një nga familjet e këtij fshati pas shumë vuajtjeve që pati kaluar, u zgjua një mëngjes me një lajm të bukur dhe kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit të të gjithë banorëve të fshatit, të cilët për të ndihmuar bashkëfshatarin e tyre ngritën zërin përpara njësisë administrative dhe kërkuan që familjes së tij t’i sigurohej një ndihmë sociale.
Pas shumë protestash nga banorët, njësia administrative gjithashtu bëri një kërkesë në Bashki e cila vendosi t’i jepte atyre një shumë prej 3 milion lekësh. Ajo arriti t’i siguronte atij një ndihmë sociale siç iu kërkua, por dhe një punë për kryefamiljarin. Nga ana tjetër banorët e fshatit kontribuan me aq mundësi sa kishin. Disa prej tyre kontribuan në para, disa në materiale ndërtimi e disa të tjerë në veshmbathje. Me të ardhurat që u mblodhën ata kishin mundësi të dilnin nga gjendja e keqe ku kishin qenë më parë. Ata arritën të rikonstruktonin një pjesë të shtëpisë së tyre duke arritur të rregullonin çatinë e shtëpisë, disa dhoma me dyer e dritare në mënyrë që ai pak ambient që kishin të ishte i ngrohtë, ndryshe nga ai i mëparshmi.
Shtëpia ku ata jetonin, dallohej shumë lehtë nga të tjerat. Çatia e shkatërruar. Gjithcka që binte jashtë hynte brenda. Në vend të dritareve ishin të vendosura disa copa dërrasash. Dreka e tyre përmbante thjesht një kore bukë, ndërsa darka për ta nuk ka ekzistuar kurrë si një vakt ushqimi. Çdo natë ata flinin në një divan të shkatërruar, me një mbulesë të hollë mbi supe. Ata flinin me shpresën që kur të zgjoheshin, ky makth do të kishte mbaruar një herë e përgjithmonë.
Në një nga bisedat e bëra me kryefamiljarin e familjes ai u shpreh: “Ishte një makth i vërtetë ajo që kemi përjetuar. Nuk kishte ditë që mos të derdhnim lotë. Gjendja jonë ishte tmerrësisht e keqe. Nuk mund të themi se tani po jetojmë në luks dhe as nuk e duam një gjë të tillë, por kemi kushtet e mjaftueshme për të bërë një jetë normale. Tani flemë të qetë. Kemi mundësi të hamë tre vakte ushqim dhe une jam shumë i lumtur që kam një punë me anë të së cilës mund t’i siguroj familjes time të ardhura.
Jeta është shumë e gjatë dhe si rrjedhojë ajo ka shumë sfida dhe vështirësi. Ne jemi vetëm udhëtarë në këtë botë dhe e dimë se gjithçka që ndodh, ndodh për një arsye. Por duhet të jemi të vetëdijshëm që pas çdo të keqeje vjen një e mirë.