Njihuni me Lisarën – Si një 18-vjeçare po ndryshon komunitetin e saj

Në komunitetin tim, zëri i të rinjve nuk dëgjohej.”

Kështu e përshkruan Lisara realitetin e saj disa vite më parë. Si shumë bashkëmoshatarë të saj, ajo kishte ide, mendime dhe shqetësime për komunitetin ku jetonte, problemet ishin përreth saj, por nuk e mendonte se mund të ishte pjesë e zgjidhjes.

“Na mungonte hapësira dhe besimi për t’i kthyer këto ide dhe shqetësime në veprime konkrete” – kujton 18 vjeçarja.

Gjithçka filloi të ndryshojë 6 vite më parë kur Lisara u bë pjesë e grupeve rinore IMPACT të World Vision Albania, një model që çdo vit fuqizon rreth 1300 të rinj në të gjithë Shqipërinë.

Nga heshtja në veprim

Kjo përfshirje që nisi në moshë të hershme, me kalimin e kohës u kthye në angazhim të vërtetë.

Lisara filloi të kuptojë më mirë sfidat që hasin të rinjtë në komunitetin e saj. Më e rëndësishmja, ajo kuptoi se mund të ishte pjesë e zgjidhjes.

“Përfshirja ime në World Vision ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Më ndihmoi të kuptoj që ndryshimi nis nga ne… ose më saktë, nga unë,” – tregon 18 vjeçarja.

Sot, ajo nuk është më thjesht pjesë e një grupi, ajo është një zë që ndikon, një shembull për të tjerët dhe një e re që beson në fuqinë e veprimit.

Nisma që transformojnë komunitetet

Në takimet e përjavshme me grupet IMPACT, Lisara dhe bashkëmoshatarët e saj nuk ndalën vetem te diskutimet, apo rritja e aftësive personale. Me mbështetjen e World Vision Albania, idetë e tyre kthehen në projekte konkrete: laboratorë informatike, kënde sportive në shkolla, mbjellje pemësh, kënde lojërash, fushata ndërgjegjësuese, etj,.

“Janë me dhjetëra nisma që kemi ndërmarrë në zonën e Kamzës dhe më gjerë. Ndihem jashtëzakonisht e lumtur kur shoh ndryshim në shkollë, në komunitet apo në rrethin tim shoqëror,” – thotë Lisara, ndërsa shton se ndryshimin më të madh e ka parë tek vetja, pasi kjo eksperiencë e ka ndihmuar të fitojë aftësi të reja, të fuqizojë veten dhe të jetë mbështetje për të tjerët.

Një nga nismat me më shumë impakt ishte ajo për sigurinë online. Ndihmuam të fëmijët e shkollës tonë dhe komunitetin në tërësi, të kuptojnë rreziqet dhe të mbrojnë veten në rrjetet sociale.”

Kur idetë bëhen realitet

Në çdo komunitet ku zbatohet modeli IMPACT, ka me qindra histori si kjo Lisarës: të rinj që po fitojnë besim, po zhvillojnë aftësi dhe po bëhen agjentë ndryshimi.

Gjatë pesë viteve të fundit, këta të rinj kanë realizuar 345 iniciativa komunitare që adresojnë çështje si përfshirja, barazia, mbrojtja e fëmijëve dhe mjedisi. Por për Lisarën, një nga nismat më të veçanta ishte krijimi i një hapësire të sigurt për fëmijët, ku ata mund të luanin, ndërsa prindërit kalonin kohë aty pranë.

Me mbështetjen e World Vision dhe në partneritet me bashkinë Kamëz, kjo ide u bë realitet, duke u finalizuar me tre kënde lojërash për fëmijët dhe hapësira rekreative për prindërit.

Sa herë dëgjoj të qeshurat e fëmijëve në atë hapësirë, e di që çdo përpjekje ka vlejtur. Është një ndjesi që nuk përshkruhet lehtë, të shohësh diçka që dikur ishte vetëm ide, të kthehet në një investim konkret për komunitetin në zonën e liqenit të Paskuqanit,” – kujton Lisara.

Fuqizimi që sjell ndryshim

Historia e Lisarës nuk është thjesht historia e një vajze që u përfshi në një grup rinor.

Është historia që na tregon se çfarë ndodh kur një i ri fillon të besojë te vetja dhe kur merr mbështetjen e duhur.

Dhe modeli IMPACT është rruga që World Vision Albania përdor për t’i bërë të rinjtë si Lisara agjentë ndryshimi në komunitetet e tyre dhe liderë.

Nga Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania