Nga Armando, Dibër/ “Një jetë normale për Luisin”

Luis

Kur vjen në jetë një fëmijë, në mesin tonë shtohet një ëngjëll, lind një buzëqeshje… Është një gëzim i madh për familjen dhe mbi të gjithë për nënën e tij.

Vitet kalojne dhe fëmija rritet, por ai ka vështirësi dhe nuk flet mirë si të gjithë bashkëmoshataret e tij. Ai mundohet të vrapojë pas shokëve të tij pareshtur, mundohet shumë të luajë lojën e preferuar, por nuk mundet. Dicka e pengon. Nëna e sheh dhe lotët i rrjedhin syve. Kupton gjithcka, edhe pse nuk do ta pranojë.

Brenga më e madhe për nënën është: pse fëmija im nuk është si të tjerët? Si do të jetë jeta e tij?

Djali quhet Luis, është 9 vjec dhe sapo ka mbaruar klasën e dytë. Ai si gjithë të tjerët e do shumë jetën dhe ka shumë ëndrra për të ardhmen. Edhe pse me aftesi ndryshe, Luisi është një fëmijë për t’u adhuruar për shkak të vullnetit që ka për të mësuar.

“Ai shkonte çdo ditë me dëshirë në shkollë dhe kjo mi ka lehtësuar shumë vështirësitë që has shpesh si nënë e një fëmije autik, por me sjelljet e tij që e bëjnë atë special na fal në cdo moment shumë dashuri”, thotë Rudina, nëna e Luisit.

Në Bashkinë Dibër numërohen rreth 340 persona me aftësi të kufizuara. Mes tyre 40 janë paraplegjikë, 30 të verbër dhe 270 të tjerë me paaftësi të ndryshme. Shqetësimi më i madh për prindërit e këtyre fëmijëve ka lidhje me mungesën e mësuesve ndihmës në shkolla. Momentalisht në qytetin e Peshkopisë ka vetëm 3 mësues ndihmës, dy prej të cilëve në shkollën “Demir Gashi” dhe një në shkollën “Irfan Hajrullai”, ndërsa fëmijët me aftësi ndryshe janë të shpërndarë në shumë shkolla të tjera.

Ky ishte edhe shqetësimi i Rudinës, por më në fund në shkollën “Demir Gashi”, ku Luisi arsimohet tashmë ka dy mësues ndihmës. “Unë mendoj që djali im është i veçantë, i pakrahasueshëm, është vetvetja dhe do të gjejë vendin e tij në shoqëri. Mjafton të ketë njerëz që ta përkrahin”, – shton nëna e Luisit.