Nga Arjola, Durrës: Heshtja përballë dhunës, bën më keq nga sa mendojmë

Arjola Basha

Një ndër problemet më themelore të shoqërisë ku ne jetojmë është dhuna ndaj fëmijëve. Nga shumë sondazhe të kryera është vërtetuar se kjo lloj dhunë është tepër e përhapur.  E pavarësisht këtyre rasteve të shumta, të pakta janë ato të cilat dalin në dritë.

Ka shumë arsye të mos raportimit të rasteve të tilla, ajo më e rëndësishmja është, frika apo pasiguria e fëmijëve të dhunuar. Pasiguri, e cila vjen si pasojë e mosinformimit të fëmijve në lidhje me dhunë. Pra, mund të themi se shpesh ata nuk janë të informuar rreth vendeve dhe procedurave që duhet të ndjekin për të kallëzuar diçka të padrejtë, që u shkaktohet atyre.

Një aspekt tjetër që luan rol në mos evidentimin e rasteve të dhunës, është neglizhenca. Shumica prej nesh kanë parë të paktën një rast dhune dhe nuk kanë reaguar. Kjo gjë mund të ndodh nga mosnjohja e asnjë institucioni apo organizate që merr përsipër raste të tilla, por edhe thjesht duke menduar se janë çështje që nuk i përkasin atyre duke lejuar kështu, që dhuna të vazhdojë të praktikohet. Dhunuesi nuk has asnjë problem në kryerjen e aktit të dhunës, ndërsa viktima, në këtë rast fëmija, mbyll sytë dhe të pranon çdo gjë që ndodh përreth tij.

E kështu harku i rasteve të dhunimit vazhdon të zgjerohet dita-ditës.

Të gjithë janë të vetëdijshëm se në këtë formë nuk mund të eleminohen apo pakësohen rastet e dhunimit. Heshtja përballë rasteve të tilla bën më keq nga sa e mendojmë ne. Ky është element i cili çon në shtimin e rasteve të dhunës. 
 

E vetmja zgjidhje që duket se mund të jap rezultat në pakësimin apo eleminimin e këtij fenomeni është mos heshtja, raportimi dhe ndërgjegjësimi i njerëzve përballë rasteve të tilla. Ky fenomen duhet të ndalojë, sepse duket qartë se dita-ditës po shkatërron jetët e shumë e shumë fëmijëve të pafajshëm.

#ItTakesAWorld