“Familja ime arrin të na sigurojë vetëm nevojat krysore, por prindërit e mi do të sakrifikonin gjithçka për të na mbështetur në vazhdimin e shkollës së lartë. Ditët e fundit kam filluar të ndihem shumë e lumtur se kam arritur të realizoj ëndrrën, ose më mirë të them kam filluar të hedh hapat e parë sepse po studioj Drejtësi. Koha më e bukur këtë periudhë ka qenë pjesëmarrja në seancat gjyqësore, por ky nuk është i vetmi moment i lumtur i jetës sime deri tani.
Kur isha 8 a 9 vjeç, nuk më kujtohet fort mirë u përfshiva me programet e World Vision në një nga fshatrat e Vlorës, ku unë banoja. Prej WV unë lidha miqësi me një përson të veçantë: “gjyshen time” Norma. E konsideroj si gjyshe pasi nuk kam mundur ti njoh gjyshet e mia biologjike, por ajo e meriton ta thërras me këtë emër. Ende nuk kam mundur ta takoj fizikisht, por kam shkëmbyer shumë letra. Ajo më ka mësuar se sa e rëndësishme është t’iu falësh dashuri të tjerëve, edhe njerëzve që nuk i njeh. Më e rëndësishmja dhe çka më prek më shumë është fakti se ajo gjithashtu më konsideron pjesëtare të familjes së saj. Më dërgon foto, më tregon si ka kaluar ditën…e kështu pak nga pak, me kalimin e kohëve ka ndikuar te unë.
Me mundësitë që kam i ndihmoj të gjithë ata që janë në nevojë. Në rastet që nuk kam për t’i dhënë diçka, përpiqem t’iu them një fjalë të mirë e t’i jap zemër.
Dua ta bëj këtë jo vetëm se ndiej keqardhje për ta, por sepse kjo gjë më bën të lumtur!” – tregon Anxhela duke parë vazhdimisht orën me merak se mos humb leksionin.